
TIRANË- Pas tensioneve të krijuara, ditën e sotme në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve dhe mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, Kuvendi njoftoi se kjo e fundit do të shtyhet dhe të zhvillohet online. Pas këtij vendimi grupi parlamentar i PD, ka deklaruar se këto mbledhje mund të bëhen online vetëm në raste të masave të jashtëzakonshme që mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësive natyrore.
Reagimi i plotë:
Pas bllokimit që deputetët e opozitës i kanë bërë punimeve të Kuvendit sot, deputetët e PS kanë njoftuar shtyrjen e mbledhjes dhe zhvillimin e saj online. Sipas nenit a/5 të Rregullores së Kuvendit vetëm në raste të masave të jashtëzakonshme që mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësive natyrore, mbledhjet e seancës plenare dhe organeve të Kuvendit mund të zhvillohen edhe në distancë nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik. Nuk dihet nëse PS ka shpallur gjendjen e luftës apo të jashtëzakonshme, por kjo procedurë e mbledhjeve online lejohet vetëm në ato raste.
Pas tensioneve në mbledhjen e Konferncës së Kryetarëve, grupi i deputetëve të Partisë Demokratike kanë bllokuar edhe Komisionin e Ekonomisë ku po diskutohej lidhur me projektbuxhetin për vitin 2024 dhe Paketa Fiskale. Në mbledhje ishte edhe ministri i Ekonomisë Ervin Mete, i cili prezantoi projektbuxhetin 2024. Deputetët e opozitës janë përplasur me punonjësit e Gardës, pasi këta të fundit nuk i lejuan të futen në sallën ku po zhvillohej mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Me ndërhyrjen e fundit të opozitës, deputetët e Partisë Socialiste kanë lënë ambientet e Kryesisë së Kuvendit, për të vijuar online mbledhjen.