
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka paralajmëruar tensione nesër në seancën e radhës parlamentare. Gjatë një prononcimi para kryesisë së Kuvendit, Berisha akuzoi Edi Ramën se e ka kthyer parlamentin në një bunker. Ndërsa shtoi se ka një plan për nesër, por nuk ka pranuar që të japë detaje të tjera për mediat. I pyetur lidhur me kallëzimin që ka bërë Partia Socialiste për deputetin Bledion Nallbati, i cili në seancën e 30 tetorit goditi me grusht deputetin socialist Vullnet Sina, Berisha nuk i kurseu as akuzat ndaj SPAK.
"Sot është një nga ditët më të shëmtuara në historinë e parlamentarizimit. Sot ndërtesa e parlamentit u shndërrua në një repart policor Garde, pëllëmbë e gardistë, natyrisht të urdhëruar, se ata nuk kanë një dëshirë, por kurrë ndonjëherë kjo ndërtesë, përveç kohës së Enver Hoxhës, nuk ka qenë e pushtuar nga çizmet e policisë dhe gardës. Një akt i turpshëm, një akt i shëmtuar. Deputetët e opozitës, kryetarja e ashtuquajtur krijoi një përpjekje e cila do të hetohet në mënyrën më të hollësishme, sepse mbylli derën në një kohë kur 5-6 prej tyre ishin në ashensor dhe në ashensor në kat të 4, që në çdo lloj avarie mund të përfundonin në kat të parë, me urdhër të saj. Ky është turp i madh. Ky tregon se parlamenti ka humbur çdo të drejtë funksionuari në këtë mënyrë. Tregon se Edi Rama e ka shndërruar në një bunker, njëlloj sikur në këtë ndërtesë qeverisnin etërit e tij barbarë, Enver Hoxha dhe Spirokoleka. Nga ana tjetër, shënohet një tjetër rekord i zi në historinë e parlamentit, një dhunim flagrant i kushtetutës me buxhetin. A mund të imagjinojnë shqiptarët se kanë kaluar në klandestinitet për miratimin e buxhetit. Në vend të një seance të hapur në vend të një konsulte të gjerë me grupet e interesit për të gjithë zërat e buxhetit, ata e mbyllën debatin dhe kaluan në një klub që si quhet, shkuan në një klub dhe aty po miratojnë buxhetin në mënyrën më të papërgjegjshme dhe qesharake. Prapë në kundërshtim me kushtetutën kanë vendosur që pa punonjësit e Ministrisë së Financave të punojnë online, punë e cila online do të thotë në dy raste, luftë ose epidemi. Asnjë nga rastet nuk plotësohet, por këta nuk kanë as ligj e as moral, nuk njohin asgjë. Pra, shënon kjo ditë rekordet më të zeza në historinë e parlamentarizmi. Opozita është në këmbë, opozita është në këmbë,"-tha Berisha./Zëri.ai