
TIRANË- Ka nisur mbledhja online e Komisionit të Financave dhe Ekonomisë, ku drejtuesi Eduart Shalsi tha se sjellja bllokuese e opozitës është e papranueshme, në një kohë që shqiptarët duan të dëgjojnë në lidhje me projektbuxhetin për vitin e ardhshëm.
Deputetet e opozitës Emilja Koliqi dhe Sorina Koti, thanë se mbledhja e Komisionit online është e paligjshme, pasi Shqipëria nuk është në asnjë kusht emergjence.
“Sikur ka shpërthyer luftë. Nuk është etike dhe as e hijshme që pr/buxheti të diskutohet online, kur pjesa më e madhe e kolegëve janë brenda ambienteve të kuvendit. Ju lutem mos na hiqni të drejtën për të folur dhe lirinë e fjalës. Do respektojmë kolegët e PS-së dhe do të kemi rikthim normal të seancës sonë”, tha deputetja Koti, ndërkohë që të njëjtën qëndrim mbajti dhe kolegia e saj Koliqi.
Ndërkohë socialisti Shalsi tha se mbledhja online është bërë për shkak të bllokimit që opozita po i bën punës normale të Kuvendit.
“Zonja Koliqi unë ju kam shprehur respektin për racionalitetin tuaj, por në rastin konkret duhet të ishin ju që të largonit kolegët nga bllokimi i derës. Nëse duan komisione normale, duhet të heqin dorë nga skenat e bllokimit”, tha Shalsi, teksa vijoi rendin e ditës së mbledhjes./Zëri.ai