
TIRANË - Deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati është paraqitur në SPAK. Gjatë seancës parlamentare të datës 30 tetor, Nallbati grushtoi deputetin e PS-së, Vullnet Sinaj. Pasi ka dalë nga SPAK, Nallbati ka thënë për mediat se nuk ka goditur askënd. Ai theksoi se qytetarët nuk duhet të “bombardohen” me lajme banale, por të shohin sesi vidhen përditë nga qeveria.
“Nuk kam qëlluar asnjë person. Këto janë ngjarje banale. Shikoni qindra miliona euro që po shkojnë prapë për PPP. Kjo duhet të shqetësojë më shumë qytetarët. Duhet një Kuvend, ku opozita të respektohet. Unë nuk kam qëlluar njeri, më tërhoqi dhe veprova. Ende nuk e kam takuar zotin Sinaj. Jashtë seancës nuk kishte tensione atë ditë,”- tha Nallbati.
Bledion Nallbati u paraqit pranë SPAK, pasi grupi parlamentar i PS-së ka ngritur kallëzim penal ndaj tij. Edhe deputeti socialist Vullnet Sinaj, është marrë në pyetje disa ditë më parë nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai tha se kishte shpjeguar ngjarjen e ndodhur në Kuvend.
Pas debateve dhe tensioneve në parlament, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla mbylli më herët seancën e 31 tetorit. Opozita pretendon se i janë shkelur të drejtat kushtetuese, duke thënë se do ndërpresë funksionimin normal të Kuvendit./Zëri.ai/