
TIRANË- Fondet e IPARD-it pritet që të jenë tema më e re e diskutimit në Komisionet e Kuvendit për këtë legjislaturë të re. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi vendosi objektivat e opozitës. Në fjalën e tij, përsëriti si çështjen kryesore çështjen e mandatit të deputetes së Olta Xhaçkës, e më pas u theksoi rëndësinë e diskutimit për fondet e Bashkimit Europian për fermerët në Shqipëri. Sipas tij, për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me fondet, duhet që Kuvendit të ngrejë një Komision Hetimor.
"Kemi ligje si iniciativë e deputetëve të cilat kanë nga tri vite në sirtare. Shpresoj shumë që të futen me prioritet në kalendare për t'u shqyrtuar. Janë propozime të rëndësishme që vijnë nga opozita. Gjithashtu dua të theksoj problemin e zvarritjes së mandatit të Olta Xhaçkës. Shpresoj shumë dhe ju bëj thirrje që të vazhdohet pa humbur kohë që kjo çështje të shkojë në Gjykatë Kushtetuese. Në Këshillin e Legjislacionit dhe deputetët e PS ranë dakord që mocioni t'i përcillet Gjykatës dhe shpresoj që në seancën e 12 shtatorit kjo të ndodhë. Kam edhe një çështje të rëndësishme që lidhet me fondet e IPARD. Para disa muajsh ju kërkuat që debati për këtë çështje dhe ngritja e një Komisioni Parlamentar për të adresuar problematikat të ndodhë në shtator. Shtatori erdhi, kështu kërkoj që këtë çështje ta kemi prioritet dhe si një instrument për të zhbllokuar fondet e BE për fermerët. Janë fonde që mbahen të bllokuara për shkak të korrupsionit dhe abuzimit qeveritar,"-tha Bardhi ndër të tjera në fjalën e tij.
Lajmi për abuzimet fillimisht u publikua në media, ku edhe u bë me dije se Komisioni Europian kishte pezulluar grantet për bujqësinë shqiptare nga programi IPARD III, për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre. Vendimi u mor pas më shumë se 2 vite hetime nga OLAF, gjatë së cilave u zbulua se autoritetet shqiptare, përkatësisht AZHBR, nuk i kishin respektuar procedurat ligjore në shpërndarjen e granteve për fermerët duke bërë që një pjesë e madhe e fondeve të vidheshin. Madje disa raste u verifikuan dhe u zbulua se paratë ishin dhënë për investime fantazmë, të cilat nuk ekzistojnë fare.
Pas publikimit të skandalit, Ministria e Bujqësisë në një reagim për mediat theksoi se programi i mbështetjes nuk është ndërprerë, e se puna vijonte normalisht. Madje, tashmë ish-ministrja, Frida Krifca pretendonte se ato ishin procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara. Kjo dosje tani, si shumë të tjera, është në duart e SPAK. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri me dije më 28 shtator të vitit të shkuar se kishte nisur hetimet. Lajmin e dha vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili gjatë një takimi informal me gazetarët u shpreh se hetimi ishte në fazën e verifikimit paraprak./ZËRI