Politikë

Konkluzionet e Këshillit Europian, Shqipëria nuk përmendet

Këshilli Europian ka nxjerrë konkluzione për vende si Maqedonia e Veriut dhe Bosnja, ndërsa Shqipëria nuk përmendet fare. Kështu, vendi ynë ende nuk ka një datë se kur nis shqyrtimi i kapitujve të negociatave.

D.XH
Konkluzionet e Këshillit Europian, Shqipëria nuk përmendet
Shqiperi BE

BRUKSEL – BE nuk ka marrë ende një vendim, se kur do të nisë shqyrtimin e kapitujve të negociatave me Shqipërinë. Marrja e një vendimi nga ana e unionit për vendin tonë është shtyrë pa afat.

Ndërsa, me Bosnjë Herzegovinën, KE ka vendosur të nisë negociatat e anëtarësimit me kushte. Maqedonisë së Veriut i kërkohet që të zbatojë angazhimin për të miratuar ndryshimet kushtetuese, për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, si një popull shtet-formues. Në këtë mënyrë, Shkupi është ndarë nga Tirana, teksa për Maqedoninë e Veriut do shqyrtohen kapitujt e anëtarësimit në BE.

Këshilli Europian vendosi që të nisë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Ky vendim është kritikuar ashpër nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, që tha se këto vende nuk plotësojnë standardet europiane. Gjeorgjisë po ashtu iu dha statusi i vendit kandidat, por me kushte.

KE vuri në dukje se ka prioritetet integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por nuk është vendosur afat përfundimtar se kur integrimi do të ndodhë. Këshilli Europian ka rekomanduar që rajoni i BP të mbështetet në planet ekonomike. Shtetet e Ballkanit Perëndimor po ashtu janë ftuar që të promovojnë integrimin ekonomik përmes Tregut të Përbashkët rajonal, bazuar në rregullat e BE-së. KE thotë se mbetet e përkushtuar që të afrojë vendet e BP me standardet e vendeve të Bashkimit Europian./ZËRI/

Poll

MOS HUMB