PËRMET- Pas vendimit të Gjykatës së Apelit që iu dha vulën dhe logon e PD-së, përfaqësuesit më të lartë të saj kanë nisur turin e takimeve me qytetarët. Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi dhe ish-deputeti Belind Këlliçi ishin këtë të shtunë në Përmet, ku dërguan mesazhe bashkimi për demokratët, pavarësisht se me qëndrime të ndryshme.
Gazment Bardhi teksa bëri një rezyme të 11 viteve të vështira të PD-së në opozitë, u ndal edhe te odiseja 3 vjeçare e përplasjeve të brendshme, duke kërkuar që bashkë me vulën të nisë edhe forcimi i aksionit opozitar në terren.
Ai po ashtu dërgoi një mesazh të qartë për Lulzim Bashën se rruga që paralajmëroi mbrëmjen e djeshme, me rekurs në Gjykatën e Lartë për vulën, nuk do ta çojë asgjëkundi.
“Me kokën lart kemi disa muaj deçizivë përpara për të bërë realitet fitoren e PD në zgjedhjet e ardhshme. U mbyll problemi me vendimin për PD dhe mos besoni përrallat me rekurs. Duhet t’ia shpjegoni edhe demokratëve që nuk na janë bashkuar ende, janë demokratë dhe kanë bërë të njëjtat sakrifica si ju. Dera është e hapur dhe ata e kanë vendin këtu. Bashkë me çdo qytetar të ndershëm, sepse sot e vetmja shpresë që Shqipëria të ecë përpara është opozita dhe PD”, tha ai.
Por nëse Bardhi beson se të gjithë demokratët duhet të kthehen në shtëpi, Belind Këlliçi nuk ndan të njëjtin qëndrim. Nga i njëjti podium, ish-deputeti theksoi se Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn nuk i do në Partinë Demokratike.
“E rithemeluam dhe luftuam për një pluralizëm që është fituar me gjak në kushte të jashtëzakonshme. Sot beteja është me Ramën dhe shpurën e tij. Nga Përmeti, t’i shtrijmë dorën kujtdo që ka hatër mbetje dhe ka pasur divergjenca me ne, për t’u bërë bashkë. Nëse kemi një kundërshtar të përbashkët, duhet të jemi bashkë. Dyshen Alibasha nuk do të doja të vinin në PD, por këto janë qëndrimet e mia personale. Koha të mbyllin kapitullin dhe të vijojmë betejën”, tha ai.
Ndërkohë që Noka vijoi akuzat e tij për kreun e SPAK, dhe tha se për të hyrë në zgjedhjet e ardhshme, vendi ka nevojë për qeveri teknike.
“Ku është drejtësia e re? Ku është Altin Dumani? A e dha shqiptarëve Altin Dumani një përgjegjës ligjor për vjedhjen e inceneratorëve? Jo. Altin Dumani nuk ka këllqe të luftojë krimin dhe korrupsionin se ai është peng i Edi Ramës. Atij i është caktuar vetëm një detyrë, të luftojë opozitën.
Ndaj sot nuk ka asnjë prapa hekurave për 400 milionë eurot e vjedhura për koncesionet në shëndetësi. Prandaj sot Lali Vjedhësi i Tiranës vazhdon të ulet në atë karrige. Dumanit do i themi: nuk ke për të qenë kurrë i denjë për atë vend se nuk mund të ketë drejtësi të denjë në një vend ku luftohet natë e ditë opozita.
Sali Berishën, liderin e opozitës e mban të burgosur pa provë, pa fakt, pa akuzë. Është i vetmi lider në botën demokratike që mbahet i burgosur pa akuzë. Drejtësia ka rënë, sepse drejtësia ka provën, faktin, akuzën. Drejtësia e re e Edi Ramës së bashku me policinë e Edi Ramës janë të zhytur në krim në rastin e Fredi Belerit. Sepse po të merrte Fredi Beleri bashkinë e Himarës, do dilnin të gjitha vjedhjet që ka bërë Edi Rama në jug.
Të dashur miq, Shqipëria ka ecur drejt ghreminës. Por ne nuk do ta lëmë të bjerë në greminë. Sot ka një shpresë në vend dhe kjo shpresë është PD. Shpresa e këtij vendi është opozita e pakapur, e painkriminuar dhe e padorëzuar. Shpresa e këtij vendi është kjo oozitë që lufton dhe denoncon krimin dhe korrupsionin.
Është kjo opozitë që jep dhe do japë alternativë për Shqpiërinë dhe shqiptarët. Është kjo opozitë dhe jeni ju që u përballët prej kaq vitesh me regjimin më kriminal dhe korruptiv që ka parë Europa. Ndaj të dashur miq, jemi sot më të fortë se kurrë, më të bashkuar se kurrë dhe do të vazhdojmë bashkimin tonë.
Jemi e vetmja forcë politike që pranon diversitetin dhe kjo është vlerë evropiane. Jemi e vetmja forcë politike që kemi të sanksionuar fraksionin. Ndaj i bëj thirrje çdo demokrati të gënjyer dhe të mashtruar: dera jonë është e hapur. Vëllezër dhe motra, ejani në shtëpinë tuaj. Aty ka vend për çdonjërin prej nesh. Aty do të ketë vend për çdonjërin që është në opozitë me këtë regjim. Gjithçka na bashkon dhe mbi të gjitha na bashkon ideali, shpirti i lirë dhe demokratik.
Na bashkon dëshira për të luftuar regjimin e krimit dhe korrupsionit. Na bashkon dëshira për të futur Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian. Ndaj, kthehuni të gjithë në shtëpinë tuaj. Atje e keni vendin. Ju mirëpresim të gjithëve në diversitet. Nuk ka rrugë tjetër, të bashkuar ne do të duhet të ecim dhe të bashkuar ne do të fitojmë.
Sepse ne kemi një gjë, në ADN-në tonë kemi rezistencën dhe ndaj jemi sot kështu siç jemi. Ndaj kemi fituar këto beteja dhe kështu do fitojmë edhe betejën përfundimtare me regjimin e Edi Ramës. Ne do i japim vendit një qeveri teknike, sepse ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria vend anëtar i NATO-s nuk bën zgjedhje të lira. Qeveria teknike dhe lirimi i liderit të opozitës janë dy nga fushat e betejës ku do fokusohemi ne. Këto dy beteja do i fitojmë dhe më pas do fitojmë zgjedhjet”, u shpreh Noka. /ZËRI