Politikë

Ku ndahen PD&PS për Kosovën

Opozita kërkon që të ndëshkohet Serbia nga partnerët ndërkombëtarë ndërsa përkrah aksionin e Policisë së Kosovës në Veri. 

E.K
Ku ndahen PD&PS për Kosovën
Edi Rama dhe Sali Berisha

TIRANË- Draft-rezoluta për Kosovën do të jetë dhe tema e nxehtë që pritet të përplasë sërish në Kuvend maxhorancën dhe opozitën. Dy grupet parlametare kanë paraqitur rezolutat e tyre por me sa duket me kërkesa larg njëra-tjetrës. Sipas Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha rezoluta e paraqitur nga socialistët nuk dënon Serbinë dhe mban qëndrim të njëanshëm në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit. 

Sipas liderit demokrat kryeministri Edi Rama ka frikë të përmendë emrin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç për shkak të marrëdhënies "vëllazërore". Ndërkohë për rezolutën e PD-së thotë se është më e mira, e konsultuar nga ekspertët dhe ka një qasje të drejtë. Ai shtoi se nuk do ta votonte rezolutën e të majtëve në Kuvend në seancën e 12 shtatorit.

Sali BerishaJo të lutem, ne kemi rezolutën tonë. Ne kërkojmë të votohet rezoluta jonë, do të ua paraqesim shqiptarëve. Rezoluta që paraqet grupi parlamentar i PD-së, është një rezolutë absolutisht në përputhje të plotë me qëndrimet e parlamentit të Kosovës, me qëndrimet e miqve të Kosovës. Është një rezolutë shumë mirë e studiuar. Urojmë dhe shpresojmë që të mos mbeten skllevër të Vuçiç. Se ju e keni vënë re që emri i Vuçiç nuk është përmendur ndonjëherë nga Edi Rama, vetëm tha kur më thonë kosovarët, vëlla i Vuçiçit, herë tjetër ai nuk e përmend atë. 

Por la një shteg të hapur për bashkëpunim. 

Sali BerishaPavarësisht kësaj, uroj të votohet rezoluta jonë, ose të gjejmë një mirëkuptim të një rezolute të përbashkët. 

Nga ana tjetër pritet që Partia Socialiste të mos lëvizë nga qëndrimi i saj për të mos votuar asnjë nismë që vjen nga Sali Berisha dhe deputetët që mbështesin atë. Në rezolutën e maxhorancës socialiste kërkohet që Serbia të hapë një hetim transparent për organizuesit e sulmit në Kosovë. Po ashtu, PS kërkon që KFOR-i të shtojë trupat në Veri në funksion të ruajtjes së rendit dhe paqes.

Në rezolutën e PS, thuhet se prezenca e KFOR në Veri të Kosvës është "garanci për paprekshmërinë e kufinjve të saj dhe për paqen e sigurinë në rajon". Po ashtu vihet theksi tek dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e ngërçit. 

Këto pika janë ato që me sa duket do të përplasin dy palët në Kuvend më 12 shtator. Opozita kërkon që të ndëshkohet Serbia nga partnerët ndërkombëtarë ndërsa përkrah aksionin e Policisë së Kosovës në Veri. 

Ndërkohë Lulzim Basha ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama për qasjen e Shqipërisë ndaj sulmit në Veri të Kosovës. 

Çfarë ndodhi më 24 shtator në Veri të Kosvës?

Tensionet mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit janë shtuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku 30 persona të armatosur hapën zjarr mbi një patrullë të Policisë së Kosovës dhe lanë të vrarë rreshterin e PK, Afrim Bunjakun. Pas kësaj, Forcat Speciale të Kosovës rrethuan zonën dhe vranë tre agresorët, të tjerët u strehuan në manastirin e Banjskës. 6 agresorë u arrestuan. Si organizator të sulmit qeveria e Kosovës akuzon Beogradin, konkretisht nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç. Ky i fundit sipas Policisë u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit. Radoiçiç e ka pranuar që ka qenë në krye të sulmit por duke thënë se qeveria serbe dhe institucionet nuk kishin dijeni për veprimet e tij. Ai u arrestua në Beograd dhe u la i lirë./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB