
TIRANË- Opozita zbret në shesh të hënën. Raportohet se Kryesia e Partisë Demokratike në mbledhjen që ende po zhvillon me dyer të mbyllura ka dalë me vendimin për nisjen e protestave të hënën. Por kjo datë përkon dhe me mbledhjen e Këshillit të Mandateve në Kuvend ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për arrestimin e Sali Berishës.
Protestuesit do të mblidhen në orën 12:00 në Kryesinë e Kuvendit, orar kur dhe nis mbledhja. Nuk dihet nëse Sali Berisha do të jetë i panishëm fizikisht në mbledhje apo do të përfaqësohet nga avokatët e tij.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korruopsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka kërkuar këtë të martë zyrtarisht përmes një shkrese Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit dhe dhënien e miratimit për arrestimin e kryedemokratit Sali Berisha. Sipas SPAK, Berisha nuk ka zbatuar vendimin e dhënë më herët nga akuza për masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, duke mos u paraqitur para oficeres së policisë gjyqësore Adelajda Metaj. Kjo, sipas SPAK, bën që ndaj Berishës të kërkohet një masë më e fortë sigurie. Kërkesa drejtuar Kuvendit është firmosur nga kreu i SPAK Altin Dumani.
Sali Berisha akuzohet se ka shfrytëzuar pozitën e tij, për ti dhënë një sipërfaqe të konsiderueshme toke Jamarbër Malltezit, i cili ishte një prej ish-pronarëve të truallit ku shtrihej kompleksi Partizani. Aktualisht në arrest shtëpie është bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi, i cili u arrestua me urdhër të Gjykatës së Posaçme dhe më pas u lirua nga Gjykata e Apelit. Atij i janë bllokuar edhe 25 pasuri./ZËRI