
TIRANË- Deputetët e Partisë Demokratike kanë dorëzuar këtë të enjte në Gjykatën Kushtetuese një padi ku kërkojnë që të pezullohet vendimi për masën e sigurisë së vendosur ndaj kryedemokratit Sali Berisha. Sipas deputetëve, përpara se të merret një vendim do të duhet që të ndahen kompetencat mes GJKKO dhe Kuvendit.
“E nderuar Zonja Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ne kërkuesit, me cilësinë e 1/5 të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, po Ju parashtrojmë në vijim faktet, provat dhe argumentat ligjore, se përse kemi paraqitur këtë kërkesë, e cila në thelb synon të zgjidhë konfliktin e kompetenca ndërmjet institucionit të Kuvendit nga njëra anë dhe pushtetit gjyqësor nga ana tjetër, për sa i përket heqjes dhe/ose kufizimit të lirisë ndaj një Deputeti, në të gjitha format, kur këto kufizime të lirisë kryhen nga pushteti gjyqësor pa pyetur, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit. Nisur nga sa do të argumentojmë në vijim, ne kërkuesit i kërkojmë gjithashtu Gjykatës Kushtetuese interpretimin përfundimtar të Nenit 73, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që konflikte të ngjashme të mos përsëriten në të ardhmen.’- thuhet ndër të tjera në padinë e deputetëve demokratë.
Jashtë ambienteve të GJK, deputeti Oerd Bylykbashi tha se masat kufizuese të vendosura ndaj Sali Berishës janë të papajtueshme me Kushtetuetën e vendit. Në padinë e tyre, deputetët i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese të zgjidhë konfliktin e kompetencave ligjore mes SPAK dhe Kuvendit.
Oerd Bylykbashi: Më shumë se 28 deputetë të Kuvendit kërkojnë nga gjykata Kushtetuese ta zgjidhi këtë konflikt kompetencash duke anuluar edhe masat antikushtetuese të nxjerra nga Gjykata e Posaçme në raport me deputetin Sali Berisha. Veprimet e bëra janë me një direktivë të qartë politike. Sigurisht që imuniteti nuk pengon prokurorinë dhe gjykatën të hetojë një çështje, por nuk duhet ta bëjnë kurrë pa marrë autorizimin e Kuvendit.
Po këtë të enjte kreu i Partisë Demokratike mblodhi Kryesinë ku tha se rezoluta që u miratua në Kuvend, përcakton qartë qëndrimet që duhet të mbajë opozita për të përmbushur misionin e saj të vështirë dhe jetik.
“Betejë pa kthim dhe mosbindje civile. Detyra jonë është që të nxisim frymën e mosbindjes civile, në akte të vogla, të mëdha. Me rëndësi është që mesazhi ynë është dëgjuar fuqishëm. Nuk ka ngelur ky mesazh një klithmë e vetmuar”, tha Berisha./ZËRI
/ZËR