
TIRANË- Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha ka reaguar për mungesën e tij në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Me anë të një reagimi në rrjetet e tij sociale, Shkëlzen Berisha tha se gjatë marrjes së tij në pyetje nga Prokuroria e Posaçme kishte lënë të gjitha të dhënat e tij të sakta. Madje edhe numrin e tij të telefonit.
"Ne lidhje me disa raportime mediatike per “mos paraqitjen” time si deshmitar ne gjykate, me duhet te sqaroj se ne asnje adrese timen fizike apo elektronike nuk ka mberritur asnje ftese per t’u paraqitur per te deshmuar! Pretendimet e SPAK, qe jane qartaz ne funksion te qellimeve politike e mediatike te Edi Rames, bien poshte, si nga njoftimet e meparshme qe jane ekzekutuar me sukses, ashtu dhe nga fakti qe personalisht ne deshmine e dhene para SPAK kam depozituar adresen e SAKTE si dhe nr e telefonit! Mbetem i hapur per t’u paraqitur konform ligjit me te marre ftesen!,"-shkruan Berisha.
Në seancën e sotme, i biri i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha ishte në cilësinë e dëshmitarit. Sipas SPAK, Shkëlzen Berisha ka ndryshuar adresë dhe nuk i ka shkuar fletëthirrja. Ndaj pritet në seancën e radhës, që është vendosur më 27 Dhjetor në orën 09:00./ZËRI