
TIRANË-Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka ''rrëzuar'' deputeten e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi, në padinë e saj kundër sekuestrimit të disa aseteve nga SPAK. Në seancën e zhvilluar këtë të enjte, GJKKO ka lënë në fuqi sekuestrimin duke hedhur poshtë ankesën e bërë nga Kryemadhi.
Vetë Kryemadhi ka preferuar të mos paraqitet në seancë, ndërsa ka zgjedhur të përfaqësohet vetëm nga avokati. Më herët, Monika Kryemadhi kishte ankimuar vendimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Prokuroria e Posaçme ka vendosur sekuestrimin e një pjese të pasurive të deputetes së Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi, për llogari të hetimeve për lobingun e forcës politike që ajo drejtoi për disa vite. Ende nuk konfirmohet zyrtarisht se çfarë i është sekuestruar Monika Kryemadhit, si telefon, llogari bankare, apo sende e asete në emër të saj.
Kryemadhi është person në hetim për llogari të këtij procedimi penal, ndërsa pak javë më parë nga SHBA ka mbërritur dhe përgjigja e lëtërporosisë. Ky hetim ndiqet nga prokurorët Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, ndërsa ankesa e saj në GJKKO do të shqyrtohet nga Erjon Bani. LSI dyshohet se shpenzuar disa qindra mijëra euro për kontrata lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar në KQZ dhe ILDKPKI./ZËRI