
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi është paraqitur sërish para Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në fjalën e tij para gazetarëve, Baçi tha se javën e kaluar ishte në ambientet e SPAK jo për t'u marrë në pyetje, por për të tërhequr një vendim. Sipas tij, dosja e tij është mbyllur me kërkesë të bërë nga gjyqtarja Enkelejda Millonai. Por se përse ka shkuar sot në SPAK, Baçi tha se është paraqitur në SPAK në lidhje me një gjyq me kryetaren e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi e cila e akuzon për shpifje. Teksa lexoi vendimin e Gjykatës, deputeti tha se është shpallur i pafajshëm.
"Jam këtu për të shuar dhe kuriozitetin e medieve se kam ardhur disa herë në këtë institucion të drejtësisë (SPAK). Për të hequr kurozitetin, se mediat hamendësojnë se përse kam ardhur. Kam ardhur vetë edhe sot edhe herën e kaluar, nuk jam thirrur. Erdha për një gjyq që kam me kryetaren e bashkisë së Roskovecit, zonjën Bufi e cila më ka akuzuar për shpifje dhe ofendime nga më të ndryshmet. Mora sot vendimin e gjykatës; vendimi i gjykatës thotë deklarim i pafajshëm i të akuzuarit Luan Baçi lidhur me veprën penale fyerja dhe shpifja. Kundër këtij vendimi të bëhet ankim në Apelin e GJKKO brenda 15 ditëve. E mora pak shpejt për arsye se zonja Bufi më ka çuar në gjykatë, jam në Fier pasnesër, pasi ka nevojë për 15 mln lekë të vjetra. Më akuzon se është shumë e stresuar dhe është në shumë ankth nga statuset që kam bërë duke marrë në mbrojtje banorët e Roskovecit. Më patë që të hyja në SPAK? Unë po rrija dhe po prisja. Mora një procesverbal se vendimi ende nuk është zbardhur. Atë që japin mediet të një kallëzimi të bërë vite më parë është çështje e mbyllur. Jam thirrur vetëm 1 herë, kam deklaruar ato që kam ditur dhe vendimi është marrë nga SPAK, nga prokurorja Millonai, çështja është pushuar. Vendimin e kam marrë vesh nga mediat,"-tha në fjalën e tij Baçi.
Çështja për të cilën flet Baçi ka lidhje me aksionit që ai ka në kompleksin turistik “Diamond Hill”, i cili ndodhet në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë. Ndaj deputetit demokrat, është depozituar një kallëzim në SPAK nga Aredin Behari, një person që i shpëtoi dy herë atentatit me armë i organizuar nga Skerdi Tasi, Henrik Hoxhaj dhe i financuar kundrejt 80 mijë euro nga Albert Pashaj, që tashmë është arrestuar nga prokuroria. Gjatë viteve 2010-2012, Luan Baçi ka hedhur rreth 1.5 milionë euro në kompaninë private "Geral AM", para të cilat nuk u dihet burimi dhe nuk janë deklaruar në ILDKPKI. Por mesa duket sipas tij, kjo dosje është mbyllur./ZËRI