Politikë

Mandati i Xhaçkës, Bardhi dorëzon kërkesën në Kushtetuese: E kanë firmosur 44 deputetë

Bardhi tha se deputetët e opozitës nuk do t'i lënë çështjet rrugës

E.K
Mandati i Xhaçkës, Bardhi dorëzon kërkesën në
Gazment Bardhi

TIRANË- Partia Demokratike, që përfaqësohet nga Rithemelimi, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për heqjen e mandatit të deputetes për Olta Xhaçkën, pas refuzimit të socialistëve që kjo procedurë të kalonte nga parlamenti. Kanë qenë 44 deputetë, ata që kanë firmosur kërkesën për Gjykatën Kushtetuese, e cila është dorëzuar nga Bardhi.

Bardhi, i shoqëruar nga deputetet Çupi dhe Vokshi, tha se Gjykata Kushtetuese do të duhet të mblidhet me shpejtësi për të rivendosur, sipas tij, nderin në vend.

Bardhi: 44 deputetë kemi firmosur padinë në GJK pwr mandatin e Olta Xhaçkës, që mbrohet nga Edi Rama. Kuvendi ka shpallur veten sovran ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mbi të gjitha padia ka të bëjë me autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.

GJK do të duhet të mblidhet me urgjencë dhe të vendosë në vend dinjitetin e përdhosur nga Kuvendi. Nuk ka ndodhur kurrë që të hidhen në kosh me votë politike vendimet e GJK. Ndodh për herë të parë, që ndërsa SPAK po heton grabitjen e 11 mijë metër katror tokë nga Olta Xhaçka, Kuvendi refuzon që të zbatojë vendimet e drejtësisë. Deputetët e opozitës nuk lënë çështjet rrugës.

Lëvizjen e sotme të Bardhit dhe deputetëve të Rithemelimit, e ironizoi dhe kreu i PD-së zyrtare Lulzim Basha. Ky i fundit tha se vendi ka hyrë në krizë kushtetuese pas seancës së 11 Prillit, ku socialistët votuan kundër dërgimit të mandatit të Xhaçka për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese.

“Pas vendimit të shumicës në Parlament për të refuzuar Gjykatën Kushtetuese nuk ka më hapësirë për t’iu rikthyer Kushtetueses. Vendi me vendimin për Olta Xhaçkën është në krizë kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka folur. Kur flet Kushtetuesja, bindet Parlamenti. Askush nuk është mbi Gjykatën Kushtetuese, përveç Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Po pastaj ku do e çosh? Te daje Ceni? Çfarë do të thotë Kushtetuesja? Apo bëjmë sikur! Rikthimi në Gjykatën Kushtetuese s’është zgjidhje por është ajo për të cilën fërkon duart Edi Rama. Ajo çka shqiptarët presin dhe ajo që u bëj thirrje është se çfarë janë gati të bëjnë tani që Edi Rama ua ka përplasur në fytyrë, apo mbeten peng i pazareve të errëta. I bëj thirrje mos fusni kokën në rërë si struci, mos bëni për budallenj shqiptarët dhe demokratët, hiqni dorë nga skemat boshe. Ta çosh në Kushtetuese do të thotë të bësh duanë e Ramës”, tha Basha, ndërsa nuk mungoi një përgjigje nga Bardhi. 

“Zoti Basha, edhe pse s’do të doja të merresha me të. Atij i ka hyrë në qejf që të flasë me veten. Zoti Basha nuk ka firmosur as herën e parë për zotin Xhaçka. Ai i di arsyet. Ai është një nga ata deputetë që nuk ka pranuar as të firmosë për mocionin. Arsyet pyetini. Se kush janë bashkëpunëtorët e tij që kanë miqësi me Olta Xhaçkën që kanë ndërhyrë te zoti Basha për të mos firmosur pro. Basha flet me vete dhe i shkon të flasë me vete.

E vetmja rrugë që kërkon të zgjidhë çështjet është GJK. Kushdo që bashkohet me maxhorancën, mund të shkojë tek byrektorja e zotit Basha. Unë nuk di që duke bllokuar Foltoren, i hiqet mandati Olta Xhaçkës. Ne mund të bërtasim sa të duam, kur u mor vendimi, por duhet të bëjmë padi që mandati i Olta Xhaçkës të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Basha ka refuzuar të nënshkrujë për të dërguar në Kushtetuese mandatin e Xhaçkës”, tha Bardhi.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB