Mandati i Xhaçkës vendoset të enjten, Bardhi: Kanë frikë, s'ka dhënë Rama sinjal

TIRANË-Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi foli për mediat pas mbledhjes së Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin, ku shpreh se nuk morën një vendim në lidhje me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, pasi nuk kishin një urdhër nga Rama. Sipas Bardhit Xhaçka po mbrohet politikisht nga Partia Socialiste.
Bardhi: Ajo që Kushtuta thotë, është që kur 1/10 e deputetëve të Kuvendit ngrejnë një mocion sa i takon papajtueshmërisë së mandatit, Kuvendi është i detyruar ta çojë në Gjykatën Kushtetuese. Zvarritja nga qershori i 2022 deri në 2023 kur Kushtetuesja mori vendimin ishte një mbrojtje politike që mazhoranca i kishte bërë deputetes Olta Xhaçka. Nuk ishin të zotë për të marrë një vendim, prisnin urdhrin e Edi Ramës se çfarë do të thoshte ai. Unë do të respektoj Kushtetutën. Unë nuk dua as ta çojë ndërmend që ka mazhorancë apo Kuvend që nuk e merr për bazë Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka asgjë të re në këtë çështjë, është normë e detyrueshme, dua të besoj që do të ketë një tërheqje. Edi Rama se mbron dot Olta Xhaçkën as nga Kushtetuesja, as nga SPAK. Unë e di ku e ka hallin Rama, e ka hallin se i ka dhënë ministres së tij dhe bashkëshortit të saj 1000 m2 tokë me letra të falsifikuara, për të investuar një hotel me vlerë 5 mln euro dhe e kuptoj që Olta Xhaçka e tërheq me vete Edi Ramën.
Mbledhja e Këshillit për Mandatin dhe Imunitetin, u mbyll pa një vendimmarrje të qartë nga socialistët mbledhja e Këshillit të Mandateve, në të cilën u diskutua mbi mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Socialistët thanë se do ti drejtohen seancës së të enjtes, për të pyetur deputetët që të shprehen mbi rastin Xhaçka, por nuk pranuan që të propozohet raporti i opozitës, që konstaton shkeljen e ligjit për konfliktin e interesit nga deputetja socialiste. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta dërguar çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, sërish në Kuvendi e Shqipërisë, do të duhet që deputetët të verifikojnë mandatin e një deputeti në Kushtetuese dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë.
/ZËRI
‘I duhen dhe 48 orë kohë që Rama të vendosë nëse do e lëshojë apo jo Xhaçkën”, mbyllet pa vendim të qartë Këshilli i Mandateve

TIRANË- Është mbyllur pa një vendimmarrje të qartë nga socialistët mbledhja e Këshillit të Mandateve, në të cilën u diskutua mbi mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Socialistët thanë se do ti drejtohen seancës së të enjtes, për të pyetur deputetët që të shprehen mbi rastin Xhaçka, por nuk pranuan që të propozohet raporti i opozitës, që konstaton shkeljen e ligjit për konfliktin e interesit nga deputetja socialiste.
‘I duhen dhe 48 orë kohë që Edi Rama të vendosë nëse do e lëshojnë apo jo Xhaçkën”, u shpreh Gazment Bardhi, duke ironizuar qëndrimin e kundërshtarëve politikë.
Deputetët e opozitës Gazment Bardhi e Ervin Salianji akuzuan maxhorancën se është bërë mburojë e Olta Xhaçkës dhe kërkoi që çështja të mos zvarritet por të futet në rend të ditës në seancën e ardhshme.
Kushtetuesja vendosi pranimin e kërkesës së 14 deputetëve të PD, për ta shfuqizuar vendimin e Parlamentit që miratoi raportin e mazhorancës për të mos e çuar mandatin e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. Ky vendim do të thotë që Kuvendi është i detyruar që ta çojë një kërkesë të deputetëve për verifikim të mandatit të një deputeti në Kushtetuese dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë./ZËRI
Mandati i Olta Xhaçkës, Çuçi: Ka vakum ligjor. Nikolla: Fajin për zvarritjen e ka opozita

TIRANË- Në mbledhjen e sotme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi deklaroi se lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, nuk ka asnjë pengesë nga mazhoranca për zbatimin e tij.
Teksa lexoi vendimin e Kushtetueses, Çuçi tha se sot gjendemi para një konflikti arsyetimi kushtetues dhe se çështja është procedurale.
“Duke qenë se sot kemi një vakum për t’u shprehur për kërkesën e 1/10 së deputetëve t’ia çojmë seancës për t’u shprehur”, -deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Pavarësësisht diskutimeve të gjata, socialistët nuk kanë dalë ende në një konkluzion, nëse do të shprehen pro raportit për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës.
Për zvarritjen e kësaj çështje, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, fajësoi opozitën, se me sjelljen e tyre në Kuvend kanë penguar punën normale të parlamentit.
“Këshilli i Legjislacionit nuk mund të mblidhej pa dalë në Fletoren Zyrtare vendimet në Gjykatën Kushtetuese. Për sa i përket periudhës nga korriku deri në momentin që flasim e dini fare mirë se u kthyem në anormalitet dhe ne nuk mund të mblidheshim në mënyrë të njëanshme qoftë në Këshillin e Mandateve ashtu edhe në seancën plenare”, u shpreh Nikolla.
Mandati i Xhaçkës, Bardhi: Po bëheni mburojë e paligjshmërisë, ta fusim në rendin e ditës në seancën më të parë

TIRANË- Është duke u mbajtur në Kryesinë e Kuvendit, mbledhja e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet, ku po diskutohet mandati i deputetes Olta Xhaçka.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka kërkuar që kjo çështje të vendoset në pikën e parë të rendit të ditës në seancën e ardhshme plenare. Bardhi kërkojë që Kuvendi të miratojë raportin për mandatin e Xhaçkës, i cili më pas të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim në themel.
Gazment Bardhi: Ju kërkoj që çështje të mos zvarritet më tej dhe do duhet të jetë pikë e parë e rendit të ditës në seancën e ardhshme. Këshilli i Rregullores dhe mandateve nuk ka çfarë ti shqyrtojë më sepse ne e kemi bërë njëherë dhe qëndrimet tona janë të qarta. Ju keni marrë në mbrojtje Xhaçkën, ne kemi kërkuar që të verifikohet nga Kushtetuesja.
Kushtetuesja ka marrë në shqyrtim edhe rolin e këtij këshilli dhe juve ju ka gjetur në shkelje të kushtetutës dhe deputetët e opozitës i ka gjetur në respekt të saj.
Zbatimi i vendimit të Kushtetueses të përfshihen në rendin e ditës në seancën e ardhshme. Raportin e keni gati. Do duhet të shkojë raporti i opozitës, sepse këtë ka thënë Gjykata Kushtetuese.
Atë raport futeni për votim dhe çështja të shkojë për shqyrtim në themel në Gjykatën Kushtetuese.
LIVE- A do të mbarojë sot karriera e Xhaçkës si deputete? Çfarë pritet të ndodhë në Këshillin e Mandateve

TIRANË- Këshilli i Mandateve në Kuvend sapo është mbledhur për të diskutuar në lidhje me mandatin e ish-ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Kjo e fundit është akuzuar prej më shumë se një viti nga opozita, se ka shkelur ligjjin për konfliktin e interesit, pasi gjatë kohës kur ajo ishte pjesë e kabinetit qeveritar, bashkëshorti i saj Artan Gaçi ka fituar statusin e investitorit strategjik.
Në mbledhjen e sotme, që është thirrur nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, socialistët pritet që të mos bëhen pengesë për rastin e Xhaçkës.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet për të shqyrtuar konstatimin e pavlefshmërisë dhe të mbarimit të mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka në zbatim të rekomandimeve në raportin e Këshillit të Legjislacionit dhe vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese.
Mbledhja e Këshillit të Mandateve do të konfirmohej nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, gjatë takimit të Konferencës së Kryetarëve, të zhvilluar mëngjesin e 3 prillit.
Kërkesën për mbledhjen e Këshillit të Mandateve e ka bërë kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i cili akuzoi mazhorancën – ashtu si edhe më herët – se po bllokonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e Xhaçkës.
Gjykata Kushtetuese urdhëroi rreth 1 vit më parë që Kuvendi t’i dërgojë mandatin e Xhaçkës që pikërisht Kushtetuesja të vendoste nëse ka konflikt interesi.
Kreu i Grupit Parlamentar të fraksionit të Rithemelimit brenda Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka pretenduar se deputetja Olta Xhaçka po mbrohet në kundërshtim me Kushtetutën, edhe pse ajo, sipas selisë blu, ka grabitur 10 mijë metra katrorë tokë, për të ndërtuar një resort turistik.
Paralelisht me betejën për mandatin e Xhaçkës në Kuvend, SPAK ka vendosur sekuestrimin e investimit strategjik të bashkëshortit të saj në bregdetin e Himarës. Për këtë resort që do të ndërtohej është vënë në pranga kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro, ndërkohë që ndaj vetë Artan Gaçit, deri tani gjykata nuk ka dhënë asnjë masë sigurie.
Opozita iu drejtua Gjykatës Kushtetuese në janar 2023, ku kjo gjykatë rrëzoi si antikushtetues një vendim të Kuvendit për të mos e dërguar çështjen Xhaçka në Kushtetuese – por zbatimi i këtij vendimi po zvarritet prej më shumë se një viti.
Procedura parlamentare për zbatimin e këtij vendimi ka ngecur prej muajsh në zyrën e Nikollës, por ajo e ka justifikuar mosveprimin e saj me arsye të ndryshme, që nga axhenda e ngjeshur deri tek mungesa e normalitetit në Kuvend.
Ligjërisht, Këshilli i Mandateve kryesohet nga Kryetari i Kuvendit dhe shqyrton rastet e pazgjedhshmërisë, sipas nenit 69 të Kushtetutës, si dhe bën verifikimin e mandatit të deputetit.
/ZËRI