
PRISHTINË- Mbledhja mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës nisi sot në orën 11:00 në Prishtinë. I pari që mbajti fjalën ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfca, ndërsa pas tij kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë Elisa Spiropali. Gjatë fjalës së saj, Spiropali tha se Kosova është prioriteti kombëtar i Shqipërisë.
“Jam me origjinë nga bregu i Labërisë, por me shtëpi zemre jam nga Prishtina dhe Prizreni, po kështu secili nga ne është nga Durrësi e Gjakova, jemi një gjak e një gjuhë, emocion i thellë dhe kënaqësi nga kjo mbledhje e përbashkët. Ne që po takohemi jemi pak, duhet të takohemi të gjithë aq sa jemi, aq sa shqiptarë sa ka bota. Duhet me prit për superbashkimin, kur s’ke pulën do hash shpend tjetër thotë populli. Jo rrallë Ballkani ka qenë truall i ankesës, popujt e Ballkanit e kanë traditë të kaherëshme. Ne shqiptarët nuk bëjmë dallim, por askush se mohon se shqiptarët kanë dëshmuar vendosmëri të palëkundur. Në këtë moment historik si kurrë më parë shqiptarët kanë treguar vendosmëri në zhvillimin e shoqërisë. Vetëm 1 çerek shekulli ka mjaftuar të tregojmë c çfarë energjie sjell liria. Sot po ngremë në një nivel tjetër atë që etërit tanë e bënë me shumë mund e sakrifica. Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë dhe e anasjelltas. Suksesi i njërës, kusht për tjetrën. Ritmi i njërës kushtëzon edhe tjetrën”, tha Spiropali. /ZËRI