
TIRANË-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është paraqitur sot në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizur. Por që në mëngjes ka ndarë një mesazh në rrjetin social "What'sApp", duke cituar një nga shprehjet e famshme të Presidentit Amerikan, Frenklin D. Ruzvelt.
“Më gjykoni nga reputacioni i armiqve që kam bërë,”-shkruhet në postimin e bërë nga kryebashkiaku Veliaj, si një mesazh për të gjithë akuzat që opozitarët kanë drejtuar ndaj tij.
Burime bëjnë me dije se Veliaj do të merret në pyetje nga SPAK për aferën e inceneratorëve, ku ai i Tiranës është ende nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Por jo për dosjen 5D, pasi ajo çështje është duke u hetuar në dosje më vete. Me urdhër të SPAK, pak javë më parë u arrestuan disa drejtorë të rëndësishëm në Bashkinë e Tiranës, të cilët kishin ngritur një kompani, duke fituar miliona euro tendera nga vetë institucioni ku kishin role drejtuese.
Megjithatë për Veliajn kjo është hera e parë që merret në pyetje nga Prokuroria e Posaçme, ndërkohë që me interes do të pritet një komunikim i tij pasi të lërë ambientet e SPAK./ZËRI