
TIRANË- Fredi Beleri do të betohet si eurodeputet. Të paktën kështu raporton këtë të premte media greke, Protothema. Sipas saj, Belerit i është dhënë drita jeshile nga Drejtoria e Burgjeve dhe autoritetet shqiptare dhe se ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës do të udhëtojnë drejt Athinës të hënën. Pas një ndalese tranzit do të niset drejt Strasburgut për tu betuar si europdeputet i partisë Demokracia e Re, e kryeministrit grek Kyriakos Moitsotakis.
“Pas presioneve dhe kundërshtimeve nga autoritetet shqiptare, Fredi Beleris mori lejen për të shkuar në Strasburg dhe për t'u betuar si deputet i Parlamentit Evropian. Ai do të fluturojë mëngjesin e së hënës për në Athinë, i cili do të jetë një stacion i ndërmjetëm dhe nga Athina do të shkojë në Strasburg. Ai pritet të mbërrijë në Eleftherios Venizelos në orën 12.30”, shkruan Prothema.
Ky është një rast i paprecedentë kur një i dënuar me formë të prerë do t’i duhet të lërë qelinë nga një burg shqiptar, e të udhëtojë jashtë vendit. Do të jetë komisioni i lejeve në drejtorinë e përgjithshme të burgjeve ai i cili do të vendosë për modalitetet e sigurisë të udhëtimit.
Nëse do të shoqërohet Beleri nga punonjës të policisë së burgjeve shqiptare apo do të jetë policia e Strasburgut ajo e cila do ta presë në aeroport e përsëri do ta çojë në aeroport për kthim në Shqipëri kjo nuk është vendosur ende.
Beleri ka marrë 235 mijë vota duke u renditur i katërti mes 7 deputetëve që kanë dalë nga partia Demokracia e Re e kryeministrit grek Mitsotakis. Beleri u dënua me 2 vite burg në Shqipëri pasi u kap duke blerë vota në zgjedhjet vendore të 2023. Çështja ndaj tij ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar në Apelin e Posaçëm, ndërkohë që mes përplasjeve të brendshme në parti, Mitsotakis vendosi që ta fuste në listën e kandidatëve për eurodeputetë./ZËRI