Politikë

‘Ministre e ndërtimit’, Kumbaro në interpelancë me Zhupën për zonat e mbrojtura: Na qoftë rruga e mbarë drejt Shqipërisë 2030

Zhupa tha se me ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura, i hapet rruga ndërtimeve të oligarkëve në këto mjedise

E.K
‘Ministre e ndërtimit’, Kumbaro në interpelancë me
Ina zhupa dhe mirela kumbaro

TIRANË- Në seancën e sotme në Kuvend, është mbajtur një interpelancë mes deputetes Ina Zhupa, dhe ministres së Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro, për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Zhupa tha se ndryshimi i ligjit është bërë me qëllim për të favorizuar ndërtimet në këto zona, ndërkohë që etiketoi ministren si ‘Ministre e Ndërtimit’.

Duke iu referuar mënyrën se u adresua ndryshimi në ligjin për zonat e mbrojtura, Zhupa tha se kërkesa është bërë nga kryebashkiakë socialistë, që në fakt kanë sipërfaqe të papërfillshme, të zonave të mbrojtura.

“Para pak javësh ka kaluar ligji i zonave të mbrojtura duke e kthyer atë në një kantierin ndërtimi dhe betonizimi dhe vendimarrja për këta zona varet vetëm nga kryeministri dhe ministrat e tij. E kam thirrur Kumbaron në interpelancë për ta na sqaruar se si me një truk qeveritar ata futën një projekt ligj me firmën e 12 deputetëve të mazhorancës të cilët nuk e dinë se çfarë kanë firmosur dhe shumica prej tyre nuk kanë folur ndonjëherë në parlament. Atë ligj që pasi e ndryshuat me një propozim të qeverisë pompa e kaluar në konsultim publik.

Deputetë u shprehen se spunton e morën nga një shkresë e ardhur nga kryebashkiakët socialistë të cilët ishin të shqetësuar se nuk po shfrytëzonin zonat e mbrojtura dhe nuk kishin të ardhura. Kryebashkiaku i Cërrikut ishte shqetësuar shumë se nuk shfrytëzonte zonat e mbrojtura kur nuk kishte fare në territor zona të mbrojtura.

Ligji ishte me porosi që Butrintin, Velipojën, Divjakën ta jepnin për ndërtim. Një ministre mjedisi që njeh vetëm betonin nuk e meriton më të quhet ministre e mjedisit por ministrja e nderimit”, u shpreh Zhupa.

Ndërkohë që Kumbaro nga ana e saj, tha se ndryshimet në ligj ishin të nevojshme, dhe sipas saj gjatë qeverisjes së socialistëve sipërfaqet e zonave të mbrojtura kanë njohur një rritje të konsiderueshme.

“Ligji i amenduar është në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit siç janë ato të IUCN dhe direktivave Europiane përkatëse, dhe mbi të gjitha me frymën e kohës, për të arritur ekuilibrin e nevojshëm mes mbrojtjes së natyrës, biodiversitetit.

Juve s’kemi ç’tju bëjmë, kur s’jeni të bindur e s’e dini as ju pse s’jeni, madje edhe kur doni të bindeni nuk dini as se kujt duhet t’i bindeni. Nga unë keni thjesht mirëkuptim për hallin… po nuk jua zgjidhim dot ne. Sa ta zgjidhni ju mes vedi, ne do vazhdojme të punojmë fort, të ecim shpejt, dhe vizionin e Shqipërisë Turistike, Shqipërise së gjelbër, dhe Shqipërisë kampione të Ballkanit të vitit 2030, nuk e lëshojmë! Neve na qoftë rruga e mbarë për të mirën e popullit shqiptar dhe juve u vaftë mbarë sa të gjeni kush do beje çfarë për të mirën e demokracisë shqiptare!”, tha mes të tjerave Kumbaro.

Më shumë sesa përgjigje për ligjin që është miratuar, Kumbaro bëri një renditje të veprave që sipas saj kanë bërë socialistët në këto vite, në mbrojtje të mjedisit.

“75 milionë dollarë është marrëveshja me Bankën Botërore për trajtimin e ujërave të zeza që derdhen në Vjosë. E kemi shpallur mjedisin prioritet kombëtar, 480 km të Vjosës plus tre degët e lumenjve janë 12 mijë hektarë zonë e mbrojtur. Përmes vendimmarrjes racionale dhe një bashkëpunimi shembullor me shoqërinë civile dhe partnerë ndërkombëtar, duke krijuar një model dinjitoz se si mund ta kthejmë biodiversitetin në një kartë vizite për Shqipërinë.

Është kjo mazhorancë që ka vendosur moratoriumin e gjuetisë duke kthyer gjallesat në shtëpinë e tyre. Lejlekët na u kthyen edhe këtë vit në Gjirokastër dhe ky është një lajm i mire.

Është kjo mazhorancë politike që vendosi kritere dhe kontroll në mbrojtje të territorit, është kjo qeveri që, në vijim të vendimeve të Këshillit Kombëtar të Territorit të vitit 2020, duke nisur nga janari i vitit 2022 i dhamë për herë të parë Vjosës statusin e zonës së mbrojtur për ta shpallur në atë kohë Park Natyror; luginën e Shalës po ashtu e bëmë pjesë për herë të parë të zonave të mbrojtura me statusin Park Natyror; bashkuam Thethin, Valbonën, Lumin e Gashit duke krijuar Parkun Kombëtar Alpet e Shqipërisë, nga Shkodra e Malësia e Madhe deri në Tropojë, me një sipërfaqe të dyfishuar; shpallëm Malin e Munellës Park Natyror; Syrin e Kaltër po ashtu nga thjesht monument natyre, i dhamë statusin e Parkut Natyror të gjithë zonës duke e zgjeruar përreth në një sipërfaqe 290 hektarë;

Po kështu u zgjerua Parku Natyror i Ulzës; Parku Natyror i Zagorisë që më parë nuk ka qenë fare zone e mbrojtur. Pra për ta thënë shkurt, u rrit sipërfaqja e zonave të mbrojtura nga 17,5% në 21,5% të territorit të Shqipërisë, me 12 Parqe Kombëtare, 718 Monumente Natyre, 23 Parqe Natyrore. Dhe arsyeja se përse po i përmend shumë shkurtimisht, është vetëm për të kujtuar se mbrojtja e pasurive natyrore të Shqipërisë ka qenë dhe vijon të jetë vizion i kësaj qeverie, është vullnet, është ekspertizë dhe sigurisht është guxim. Sepse nuk është e lehtë që, në një vend të vogël si Shqipëria, me nevoja të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik e punësim dhe me plagë të rënda sociale për shkak të kusureve të historisë, të mbrosh zona të tëra natyrore. Ky është vizion drejt zhvillimit të qendrueshëm dhe një shenjë emancipimi e maturie shoqërore e politike e vendit”, tha Kumbaro.

Poll

MOS HUMB