
HIMARË-Një nga problematikat e evidentuara në zgjedhjet e pjesshme të Himarës është edhe gjuha greke e përdorur nga komisionerët me votuesit. Një situatë e tillë ka ndodhur në Borsh, ku në një video të siguruar nga RTSH, një grua diskuton me komisionerin dhe i kërkon atij të mos flasë greqisht por shqip.
"Ti je grek apo je shqiptar. Mos fol greqisht, nuk është e lejuar. Edhe unë di të flas spanjisht, por kam ardhur për të votuar këtu,"-dëgjohet ti drejtohet qytetarja.
Edhe kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat komentoi situatën me komisonerët që flisnin greqisht në qendrat e votimit. Sipas tij është detyrim që në institucionet publike shqiptare të flitet shqip.
“Komunikimi në institucionet publike shqiptare ka detyrim që të përdorë gjuhën shqipe dhe me këtë gjuhë do të ndërtojnë komunikimin zyrtar ndërmjet tyre me votuesit. Por përtej kësaj për një arsye o tjetër pa qëllimet që nuk sfidojnë ligjin nëse dikush do të flasë në gjuhë të huaj mund ta bëjë edhe këtë”,-tha Celibashi.
Në total janë 36 qendra votimi në Himarë, që do të jenë të hapura deri në orën 19:00. Më pas, do të nisë numërimi. Gara zhvillohet mes Vangjel Tavos që kandidon nën siglën e PS dhe kandidatit opozitar Petro Gjikuria. Zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë vijnë pas burgosjes së ish-kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri dhe dënimit të tij nga gjykata me dy vjet heqje lirie për blerje votash./ZËRI