
TIRANË- Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka quajtur miratimin e Kodit të Ri Zgjedhor një Pazar i pisët mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, për këtë arsye njoftoi se do e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Ekipi i juristëve tanë po vlerëson anti-kushtetueshmërinë e aktit të djeshëm dhe po përgatit draftin e dërgimit të kësaj çështje në gjykatën kushtetuese”, tha Basha.
Sipas tij, votimi i një ditë më parë në Kuvend, ishte një tregues i qartë se Edi Rama dhe Sali Berisha janë bashkë.
“Një pazar i trupshëm, që nuk do të harrohet as falet, sepse kurrë nuk ka qenë më e qartë ndarja midis një kaste të mbyllur që kërkon ta mbaj vendin peng, dhe shumicës dërrmuese të qytetarëve që kërkojnë një ndryshim të vërtetë”, u shpreh ai.
Basha tha se marrëveshja, tregon që opozita nuk e do ndryshimin.
'Revolta e qytetarëve nuk ka qenë kurrë kaq e madhe, sepse tashmë panë sesi u shkrinë në një parti të vetme, vetëm për të mbrojtur interesat e tyre dhe të karrigeve të tyre, duke u tallur me qytetarët që kërkonin një Reformë Zgjedhore të vërtetë. Një revoltë e përligjur, sepse ndonëse vija ndarëse ishte për listat e hapura, vota e kamikazëvë të kryeministrit më të korruptuar në Europë dhe ish-kryeministrit të shpallur non grata për korrupsion, ishte një votë që ju tha shqiptarëve që përpara hallit tuaja, jemi këtu për të zgjidhur hallin e karriges tonë.
Nuk ishte një votë thjeshtë kundër hapjes së listave, por një votë për të thënë që jemi mirë kështu. Jemi mirë me një qeveri të korruptuar që vjedh zgjedhjet. Një pazar i trupshëm, që nuk do të harrohet as falet, sepse kurrë nuk ka qenë më e qartë ndarja midis një kaste të mbyllur që kërkon ta mbaj vendin peng, dhe shumicës dërrmuese të qytetarëve që kërkojnë një ndryshim të vërtetë", tha ai.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor u miratuan në seancën e djeshme në Kuvend me 105 vota pro dhe 2 kundër./ZËRI