Politikë

Ndryshon ligji i privatizimit! Çdo pasuri private mund të shembet, opozita kundër

Po ashtu, në ndryshimet e bëra, prona shtetërore mund të këmbehet me pronë private. Për këtë do të kujdeset Ministria e Financave.

E.K
Ndryshon ligji i privatizimit! Çdo pasuri private mund të shembet,
Komisioni i Ekonomisë

TIRANË- Komisioni i Ekonomisë ka miratuar këtë të martë projektligjin për privatizimin dhe dhënien në përdorim të pronave shtetërore. Drafti, një propozim i deputetit socialist Eduard Shalsi hasi në kundërshtinë e opozitës, ku nuk munguan as përplasjet mes palëve. Por gjatw diskutimit në Komision, deputetët socialistët Blerina Gjylameti dhe Alban Xhelilaj bënë propozime të reja, të cilat edhe pse nuk i janë nënshtruar konsultimit publik, synojnë që t’u japin kompetenca çdo institucioni publik që të vendosë për shkëmbimin apo shembjen e pronave publike, për arsye investimesh private në turizëm apo qëllime të tjera.

Në ndryshimet e këtij ligji përcaktohet se privatizimi mund të bëhet në forma të ndryshme nëpërmjet shitjes me ankand ose tjetërsimit. Po ashtu, në ndryshimet e bëra, prona shtetërore mund të këmbehet me pronë private. Për këtë do të kujdeset Ministria e Financave. Ndërsa sa i përket shembjes së objekteve shtetërore në funksion të zhvillimit, subjektit privat i jepet e drejta ti shembë ato.

"Kur pasuria shtetërore që përmban objekte apo ndërtesa shtrihet në gjurmën e projekteve për të cilat është miratuar leja e zhvillimit në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, objektet dhe ndërtesat ekzistuese të ndodhura në këtë pasuri shemben në funksion të zhvillimit të projektit,"- thuhet në propozim, duke përcaktuar se shpenzimet e shembjes dhe vlera kontabël e objekteve përballohen nga kompania private.

Por kjo ndodh vetëm në rastin kur është dhënë leja për ndërtimin në zonë.

Deputetët e opozitës, Jorida Tabaku dhe Dashamir Shehi, u shprehën kundër projektligjit. Tabaku tha se ky është një ligj me porosi. Sipas saj, shteti kthehet në një shkëmbyes pronash dhe transaksionesh private.

“Është një ligj me porosi, për qëlllime dhe interesa të kujt unë ende nuk e di,” tha Tabaku. 

Kritika për projektligjin kishte dhe socialisti Erion Braçe.

“Ministritë janë aty për të ndërmarrë politika, pse duhet të marrin deputetët inciativa kaq të rëndësishme për ndryshim politikash,” tha Braçe, duke shtuar si argument dhe përgjegjësinë e ministrive për një proces konsultimi.

Pas miratimit në Komisionin e Ekonomisë, projektligji do të kalojë në Komisionet e tjera Parlamentare dhe pas përmbylljes së diskutimeve do të kalojë në Parlament. Për votimin e tij mjafton shumica e thjeshtë./ZËRI

Poll

MOS HUMB