
TIRANË- Ministri i brendshëm Taulant Balla ka paralajmëruar ndryshime në ligjin e policisë së shtetit, që sipas tij do t’i hapin rrugë meritokracisë. Sipas Ballës, ka ardhur koha që të ketë ndryshime dhe në sistemin e gradave, në mënyrë që t’iu jepet mundësia dhe oficerëve të rinj, që të mund të ngjisin shkallët e karrierës.
“Ka plot oficerë të zotë që nuk kanë mundur të bëjnë përpara me sistemin e gradave, dhe e pamundëson marrjen e funksioneve drejtuese. Pas një pune intesive, të përditshme, do të kemi shumë shpejt një draft, ligji i ri i policisë së shtetit, i është referuar eksperiencave më të mira. Ligji i ri do të sigurojë meritokracinë”, tha Balla, ndërkohë që foli dhe për elementët kriminalë që ndodhen në Dubai.
Balla tha se po punohet me Emiratet e Bashkuara Arabe për një marrëveshje të përbashkët ekstradimi, ndërsa shtoi se ky vend nuk duhet të jetë një oaz i paprekshëm për kriminelët.
“Unë mendoj se llogaridhënia duhet të jetë e njëjtë për çdo qytetar, këta persona duhet të gjenden dhe të vendosen para drejtësisë. Po punojmë me Emiratet e Bashkuara Arabe, për marrëveshjen e ekstradimit, do kërkojmë që ky vend të mos jetë një oaz për personat e lidhur me krimin. Unë pas disa javësh do të jem në këtë shtet për të diskutuar nga afër këtë marrëveshje”, vijoi Balla.
/ZËRI