
TIRANË-Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memollla ka reaguar më anë të një postimi në rrjetet sociale, pasi u mor nën hetim nga SPAK. Memolla shkruan se është përballur me akuza dhe shpifje që sipas tij kanë dalë për të ulur imazhin e tij në sytë e gjithkujt. Po ashtu në postimin e tij ai theksoi se do të përdorë çdo armë të mundshme ligjore për të mbrojtur familjarët e tij.
Reagimi:
Deri më sot jam përballur me çdo akuzë, shpifje, të pavërtetë apo lajm të rremë që prej kohesh kanë dalë për të ulur në sytë e gjithkujt imazhin tim. Të qenurit pjesë e politikës padyshim që të bën të jesh në shënjestër të shumë kazanëve mediatik vetëm për të përmbushur kërkesat e personave të etur për pushtet që fshihen pas siglave televizive. Megjithatë kurrë nuk kam dalë kundër tyre hapur pasi jam individ që di ti përgjigjem drejtësisë për aq kohë sa punën dhe postin që ma kanë besuar qytetarët e mi e drejtoj me ndershmëri dhe pastërti. Por fakti që përveç meje po baltosni familjarë të mi me akuza tepër të rënda dhe të pafalshme, madje për të disatën herë, më bën të reagoj dhe të përdor çdo armë të mundshme ligjore për t'i mbrojtur ata. Kushdo që na njeh e di mirë me sa mund dhe djersë ka arritur familja ime të jetë kjo që është tani dhe për të gjithë ata që nxjerrin fjalë të tjera përveçse kësaj të vërtete, tashmë do të shihemi qoftë edhe për shpifjen më të rëndomtë, në dyert e të gjitha institucioneve të drejtësisë.
Një ditë më parë u raportua nga Weblajm se Ministria e Drejtësisë italiane i ka dërguar SPAK-ut një material prej 10 faqesh, ku i kërkon verifikim të thelluar për kryebashkiakun e PS-së. SPAK ka nisur nga puna për të zbuluar nëse Memolla ka apo jo lidhje me një grup kriminal, që merret me trafikun e drogës, dhe pastrim parash, nga të afërmit e tij, që kanë dhe aktivitete në fushën e biznesit.
Ndërkohë Edison Memolla akuzohet gjithashtu se ka kryer "korrupsion aktiv në zgjedhje", vepër penale që dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vite heqje lirie. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka çuar për gjykim çështjen e Memollës, i cili akuzohet se gjatë kohës që garonte për zgjedhjet e pjesshme lokale që u zhvilluan më datë 6 mars 2022, ndërhyri tek një elektriçist i OSHEE. /ZËRI