
TIRANË- Dështimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore nuk ishte surprizë për askënd. Në vetëm 2 vite, Komisioni i Posaçëm u mblodh për të zhvilluar vetëm 5 seanca, edhe ato "online", duke lënë të pazgjidhura ende rekomandimet e OSBE-ODHIR dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Afati për punimet përfundoi dje, me asnjë rezultat nga asnjë prej palëve. Por ashtu si u nis, ashtu edhe u bitis! Ishte 10 shkurti i vitit 2022 kur Lulzim Basha deklaroi se do të votonte zgjatjen e afatit të organeve të Vettingut, duke marrë në këmbim ngritjen e 2 Komisioneve, një prej tyre, Komisioni i Reformës Zgjedhore. Menjëherë kjo marrëveshje u cilësua si "pazar" nga kryedemokrati Sali Berisha. Ndaj dhe tani që demokratët u ulën sërish me socialistët për të marrë 2 Komisione hetimore, edhe Basha u ka ktheu reston me të njëjtën monedhë.
Por në rastin e Bashës, 2 vite kaluan pa asnjë produkt! As nuk u morën parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR, as vendimet e Gjykatës Kushtetuese, as kërkesat që Partia Demokratike.
KËRKESAT E OSBE-ODHIR
Objektivat kryesore të projektit përfshijnë mbështetjen e autoriteteve me ekspertizë dhe asistencë për zbatimin e votimit nga jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare; kontribut në përmirësimin dhe depolitizimin e administratës zgjedhore nëpërmjet një trajnimi zgjedhor sistematik dhe profesional; dhe fuqizimin e demokracisë së drejtpërdrejtë. OSBE ishte po ashtu, e angazhuar për të përmirësuar kapacitetet logjistike zgjedhore, duke kontribuar në modernizimin e kapaciteteve të trajnimit dhe të informimit dhe në rritjen e infrastrukturës teknologjike për zbatimin e duhur të votimit nga jashtë vendit.
KËRKESAT E GJK
•Ridimensionim i Kodit Zgjedhor, kërkohet shfuqizimi i dispozitës që ka të bëjë me kufirin prej 10 mijë votash për mandatin e deputetit
•Sigurimi i votës së emigrantëve, si një e drejtë Kushtetuese
KËRKESAT E OPOZITËS (PD e Bashës)
•Listat e hapura
•Shqipëria, një zonë elektorale,
•Vota e diasporës
•Votimi elektronik
Mbledhja e parë u mbajt më 17 Qershor, 2022. Përballë Damian Gjiknurit, Lulzim Basha vendosi Enkelejd Alibeaj, ndërsa Berisha kishte të besuarin e tij ëpr çështjet zgjedhore, Oerd Bylykbashin. Më 6 shtator 2022, palët ranë dakord që të caktonin 6 ekspertët politikë dhe 2 ekspertë teknik, të cilët do të angazhohen përgjatë punës 6 mujore të Komisionit. Ndërkohë që në 5 muaj kishin arritur vetëm që të zhvillonin takimin e konstituimit. Për shkak të diskutimeve dhe bojkotit të Rithemelimit, diskutimet u ndalën. Kur tentuan që të riktheheshin në tavolinë, u përballën me poteren e shkaktuar nga deputetët e Rithemelimit që detyruan të tjerët të mblidheshin "online". Përveç ekspertëve, shoqërisë civile, u ftua për të dhënë mendimin e tij edhe Komisioneri Ilirjan Celibashi. Ky i fundit, fillimisht kërkoi adresimin e vendimeve të Kushtetueses për votimin e emigrantëve dhe herësin.
KQZ propozoi përmirësimin e rregullave që lidhen me fushatat elektorale online dhe në rrjetet sociale, por shtoi se nuk duhet anashkaluar, por rreptësuar rregullat për financimin e partive politike. Po ashtu, propozoi depolitizim të pjesshëm të komisionerëve në QV dhe KZAZ, duke vendosur në mesin e komisionerëve përveç përfaqësuesve të partive politike, edhe përfaqësues edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Po ashtu, Celibashi thotë se fjala e fundit sa i takon aspektit teknik t’i besohej KQZ. Sa i përket votimit elektronik, Celibashi tha se shtrirja në gjithë territorin ka kosto të lartë dhe kërkon burime njerëzore, e mbi të gjitha nuk e zgjidhte shitblerjen e votës. Ndëras për votën e emigrantëve u shpreh se ishte e mundur, por vetëm duhej përcaktuar forma dhe mënyra e votimit.
Këtë qëndrim e kundërshtoi vetë kryeministri Edi Rama, i cili doli publikisht dhe tha se nuk mund të ndodhte, pasi nuk kishte një regjistër të të gjithë shqiptarëve që ndodhen jashtë vendit.
Diskutimet, aq sa u bënë, i ndërpreu Gazment Bardhi në tetor të vitit 2023 kru kërkoi zëvendësimin e Enkelejd Alibeajt me Oerd Bylykbashin. Por edhe pse u bë, kërkesa e tij nuk u pranua. Megjithatë edhe Komisioni nuk e finalizoi dot një produkt. Tani të dyja palët do të duhet të përgatisin një draft, të cilin duhet ta miratojnë me shumicë të cilësuar votash në Kuvend, vota që asnjë nga palët nuk i ka. Rrjedhimisht nuk ka as Reformë Zgjedhore.
Ose të paktën deri më tani. Partia Socialiste ka hedhur sytë nga Rithemelimi që ndryshe nga Partia Demokratike zyrtare e ka fletën e bardhë sa i përket propozimeve. Pra nëse PD kishte 3 kushte, socialistët me Rithemelimin mund të diskutojnë më lirshëm. Por sa pa nisur ende diskutimet, të majtët tonë kanë dorëzuar njëjtë si Basha propozimet e tyre më Kuvend. Sipas tyre, shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të bëjnë regjistrimin e adresës së tyre të banimit jashtë kufijve të Shqipërisë që të mund të votojnë përmes postës dhe zarfi i tyre me fletën e votimit të mund të mbërrijnë në KQZ, jo më vonë se dita e votimit. Por kjo marrëveshje duhet të arrihet para përfundimit të pranverës për të pasur kohë që të bëhen përgatitjet e duhura për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për të gjitha palët, koha nuk është në favorin e tyre. Por nëse kanë vullnet, Shqipëria mund të ketë një Reformë të re Zgjedhore. Në të kundërt, në 2025 do kemi zgjedhje të reja, me 'rregulla' loje të vjetra./ZËRI