
TIRANË- Partia Socialiste ka mbledhur këtë të hënë grupin e saj parlamentar, një ditë para protestës së thirrur nga opozita përpara kryeministrisë. Mbledhja e grupit të PS është duke u mbajtur në Kryesinë e Kuvendit, ku janë duke u diskutuar një sërë çështjesh të rëndësishme, që nga aktivizimi në komisionet parlamentare, te reforma zgjedhore. Prej muajsh situata në Kuvend nuk është normale, për shkak të radikalizimit të qëndrimit të opozitës në Kuvend, aksion që pritet të kulmojë me protestën kombëtare që është thirrur pasditen e nesërme.
20 Shkurti nuk është një datë rastësore, por është zgjedhur nga ish-kryeministri Sali Berisha pasi në 20 shkurt të 90-ës është shembur busti i diktatorit Enver Hoxha.
Ai ka njësuar situatën e viteve 90 me situatën e sotme politike, ndërkohë që mbështetësve iu është bërë thirrje që të marrin në këtë protest edhe fëmijët e tyre. Sipas Gazment Bardhit protesta do të jetë paqësore, por nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një protestë njëditore, apo ajo do të vijojë, apo kulmojë me ngujimin e deputetëve.
“Ftojmë qyetarët në protestë, qyetarë paqësorë ndaj bëra apel për të marrë me vete fëmijet dhe familjarët e tyre. Protesta sigurisht është formë reagimi dhe qyetarët do shprehin reagimet e tyre ndaj qeverise por reagimi nuk është as me porosi as skenar”, tha Gazment Bardhi teksa ftoi qytetarët që të bëheshin pjesë e kësaj proteste.
Edhe ish-deputeti Luçiano Boçi ka folur së fundi në lidhje me këtë protestë, e para pas shumë muajsh, që është thirrur nga opozita.
“Është një protestë që në radhë të parë ka kauza qytetare, të mungesës së sigurisë, shëndetësisë, cilësisë në arsim, sigurisë sociale, të korrupsionit galopant, shpopullimit të popullsisë, sikundër ka edhe kauza politike”, tha ai.
I pyetur nëse Sali Berisha do të marrë pjesë në këtë protestë, ai nuk pranoi të jete shumë detaje konkrete.
“Unë vërtetë jam pjesë e zbulimit të këtyre kurioziteteve, duke qenë pjesë drejtuese e PD, por në ligjërimin tim politik nuk besoj që thelbësore dhe themelore është kurioziteti i vogël, ai që tërheq edhe vëmëndje”, tha Boçi.
Sali Berisha është në hetim për korrupsion lidhur me privatizimin e ish kompleksit Partizani pasi me veprimet e tij ka favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin lulëzuan 19 kulla. Për këtë ai ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit të 2023. Pavarësisht se atij i ndalohet me persona që nuk jetojnë në një shtëpi me të, kjo se ka penguar Berishën që gjatë këtyre javëve të mbajë mitingje nga dritarja e apartamentit të tij./ZËRI