
TIRANË-Ne fjalen e tij ne Kongresin e PS, Kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe protestat para Bashkisë së Tiranës. Rama i krahasoi sulmet ndaj Bashkisë së Tiranes, si cirku i atyre që u turrën si te torta e Pavarësisë.
Edi Rama: Lufta antikorrupsion me denoncime të përditshme e me baltë të përnatshme, që na bëhet nga i ziu, nga i bardhi dhe nga gjithë cirku i tyre me klounë e arusha që turren tek bashkia e Tiranës si tek torta e pavarësisë dhe në vend të tortës kafshojnë murin, me minj që dalin nga vrima si tigra syshqyer, nga presioni që i bën në stomak kaçkavalli i mykur, apo me qime prapanicash, të më falë prapanica për shprehjen, që bëjnë si lajmëtarët e kiametit, nuk pi ujë me shqiptarët. Zero! Ne e kemi ndarë mendjen. Lavdi zotit dhe popullit shqiptar, na u dha mundësia që mendjen e ndarë përpara se të kishim gjërat në dorë, të kishim në dorë që ta vinim në jetë dhe ti hynim detit në këmbë për të bërë atë që në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë. Nuk e ka pasur Shqipëria kurrë një sistem drejtësie që nga 1912 të pavarur nga pushteti politik dhe të aftë për të thirrur për shpjegim apo për të vënë nën hetime, apo për të ngritur akuza për personat lidhur me pushtetin politik. Nuk e ka pasur. Kjo është ti hysh detit në këmbë. Kjo është ti shkosh me kokë, por jo si ata tek muret e bashkisë, por drejt të ardhmes me të gjithë fuqinë e dëshirës e të vullnetit për ta ndryshuar këtë vend realisht dhe të largosh duart, të largosh duart e pushtetit duke krijuar ti një grykë zjarri që mund të të godasë edhe ty. Ky është vullnet shtet bërës, kjo nuk është poezi, nuk është as artikull, nuk është as slogan. Ky është vullneti shtetbërës i Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Opozita ka zhvilluar disa protesta radhazi para Bashkisë së Tiranës. Tubime këto të cilat nuk kanë qenë aq paqësore, ku janë përdorur bomba molotov si dhe ka patur edhe përplasje fizike me efektivët e policisë. Opozitarët kërkojnë largimin e kryebashkiakut, Erion Veliaj, pas arrestimeve të SPAK në kuadër të dosjes “PD”, që çoi në pranga drejtorë të rëndësishëm të bashkisë./ZËRI