
TIRANË- Këshilli i Mandateve dhe Rregullores u mblodh sërish sot për të shqyrtuar kërkesën e opozitës për heqjen e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj. Edhe seanca e sotme është zhvilluar me debate, pasi sërish opozita e ka akuzuar Sinajn se përmes bizneseve të tij ka përfituar 36 mijë euro nga buxheti i shtetit. Sinaj, në fjalën e tij, ka pasur përplasje me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ndër të tjera, deputeti socialist tha se gjatë kohës që ka qenë deputet ka ndihmuar familjet në nevojë, ndërsa Bardhin e akuzoi si 'gënjeshtar', duke i kujtuar premtimet që nuk ka mbajtur gjatë karrierës së tij politikë. E nga ana tjetër, Bardhi e akuzoi se ka përfituar para nga buxheti i shtetit. Por sapo mori fjalën avokatja e Sinajt, seanca u ndërpre me lajmin e ndarjes nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.
DEBATI I PLOTË:
Sinaj: I kam dhuruar pagat e mia për të kuptuar se një biznesmen nuk ka vetëm qëllim fitimin. Nuk më shkonte poshtë ajo paga ime kur shikoja njerëz që kishin nevojë për t'i ndihmuar. Kam marrë masat pa u bërë deputet që të mos kisha kontakt me biznesin. I kam deleguar një personi të besuar të gjitha kompetencat e biznesit. I mora të gjitha këto masa dhe më pas mora mandatin, edhe pse ligji thotë që duhen marrë kur merret mandati. Por unë i kam marrë këto masa që kur isha në fushatë. Bardhi tha të pavërteta se duket se e ka ves. Bardhi tha që në 4 kompani ka persona të besuar, kurse në 5 jo. Unë i kam në të gjitha bizneset e mia. Në të gjitha i kam! Nuk e di pse ju herën e parë gënjyet. E kam me video. Po shikoj që ke një tendencë për të gënjyer popullin. Nuk mund të të lejoj të gënjesh.
Bardhi: Ti quan edhe blerjen e votës si donacion.
Sinaj: Si deputet kurrë nuk kam shkuar të festoj vitin e ri pa u siguruar që kishin shkuar pakot në të gjitha familjet në nevojë. Nuk e kam bërë kurrë një gjë të tillë. I kam trajtuar të gjithë problemet që kam pasur në zonën time. Nuk kam lënë stan pa shkuar. Unë nuk e kam cënuar mandatin tim. Më vjen keq që zoti Bardhi nuk e dorëzoi mandatin e tij kur premtoi se do ta linte nëse Berisha do të bëhej kryetari i PD-së. Mbaje fjalën zoti Bardhi!
Bardhi: Deputeti ka ardhur për t'i bërë reklamë vetes. E kam thënë edhe herën e parë që kur kompania dhuron, deputeti e di, kur merr fonde, deputeti nuk di gjë sepse ka një person të besuar. Nëse ke bërë bamirësi, shumë mirë, Zoti uroj të ta dijë, por kjo nuk ka lidhje për shkeljen e Kushtetutës. Ne jemi në një procedurë parlamentare dhe Kushtetuese, nuk jemi për çështje personale. Sjellja e debateve të brendshme të PD tregon mungesë argumenti dhe tregon qartësisht se kemi shkelur kushtetutën. Nuk kam asnjë pyetje.
Sinaj: E kam thënë në mbledhjen e parë këtu. 7 vjet që kam deputet nuk i kam përmendur asnjëherë. Të kam thënë zoti Bardhi, ti më ke plasur cipën. Unë nuk e kam përmendur të mirën time në 7 vjet,por ti më ke detyruar. Kush më akuzon mua? Çfarë ke bërë në jetën tënde për t'i dhënë këtij vendi? Ti e ke filluar punën si anëtar i Bordit të Hipotekës. Unë kam punuar dhe i kam dhënë taksa këtij vendi, kam mbajtur familje me bukë. Kam paguar 18 mln euro taksa. Ti je përfitues. Dietat e tua mund të jenë më të mëdha sesa ato që akuzon mua.
Bardhi: Ai ka miratuar ligj në konflikt interesi. Zotëria është ai blerjen e votës e shet si donacion. Biznesi i tij ka qenë biznes në faliment dhe kur është bërë deputet, ka pasur fitime.
Në mocionin e dorëzuar nga deputetët opozitarë, thuhet se Sinaj ka shkelur Kushtetutën, pasi ka përfituar fonde publike në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike. Opozita pretendon se ekzistojnë 30 prova se si si ligjvënësi i maxhorancës ka përfituar para nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanive të tij gjatë kohës së ushtrimit të mandatit të deputetit.
Socialisti nuk i ka tjetërsuar aksionet, por i ka transferuar te persona të tjerë, dhe për këtë arsye demokratët akuzojnë se ai asnjëherë nuk ka humbur të drejtën e pronësisë mbi kompanitë e tij dhe marrjen e fitimeve. Demokratët shprehen se pronësia mbi këto kompani dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga deklaratat vjetore të deklarimit të pasurisë nga ana e tij. Firmosësit e mocionit pretendojnë se janë të paktën 9 transaksioneve të verifikuara nga thesari i shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë që kanë shkuar si pagesa për shoqëritë “BIGALB GROUP” sh.p.k., “BIG LISUS” sh.p.k., “BIG DURRËSI” sh.p.k., “BIG PESHKOPIA” sh.p.k., “BIG ROI” sh.p.k., “BIG LEO” sh.p.k., “BIG LEZHA” sh.p.k., “BIG DRINI” sh.p.k., “BASHKIMI” sh.p.k., “TIRANA CASH & CARRY” sh.p.k./ZËRI