
TIRANË- Partia Demokratike do të mbajë sot protestën e radhës, por ndryshe si më parë këtë herë opozita ka paralajmëruar se do të bllokojë disa nga akset kryesore të vendit. Në kuadër të aksionit të opozitës, protestuesit do të bllokojnë mbikalimin e Kthesës së Kamzës ë hyrje të Tiramës, rrethrrotullimin e “Casa Italia, Milot, Shkozet, rrethrrotullimin e Rrogozhinës, Levanit dhe Bradasheshit. PD ka kërkuar 3 orë leje për tubimin, por nuk dihet sa kohë mund të demonstrojnë protestuesit. Ende nuk ka një skenar nëse ata do të qëndrojnë vetëm në këto akse apo do të lëvizin në pika të tjera.
Aksioni i opozitës dhe skenarët e mosbindjes civile janë mbajtur gjithmonë diskretë deri në momentin që janë vendosur në zbatim. Por këtë rregull e theu dje kryedemokrati Sali Berisha. Në fjalimin e tij të përnatshëm nga dritarja e ballkonit të banesës së tij, Berisha u shpreh se demokratët do të rrethojnë edhe banesën e kryeministrit Edi Rama. Për këtë plan, Berisha nuk dha asnjë datë, por u shpreh se opozita e ka në axhendë.
Por dje, Policia e Shtetit ka paralajmëruar opozitarët se do të ndiqen penalisht dhe rrezikojnë deri në 3 vite burg nëse bllokojnë lëvizjen e qytetarëve. Thirrjes së Policisë i është përgjigjur kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili u shpreh se është normale që gjatë tubimeve të bllokohen rrugët. Sot, afro 700 forca policie pritet të angazhohen në Tiranë për mbarëvajtjen e protestës. /ZËRI