
TIRANË- Partia Demokratike përmes përfaqësuesit të saj, Franc Nuri raportoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se ka disa raste që nuk është respektuar e drejta e votës për emigrantët shqiptarë. Sipas PD-së ka raste që pakoja postare me zarfin e fletës së votimt është lënë në kuti postare, poshtë derës, apo edhe në duar të personave të tjerë, po jo votuesit personalisht.
“Zarfet ka raste që janë lënë në kutinë postare, ose poshtë derës, ose ju janë lënë familjarëve apo edhe fqinjëve. Nuk është respektuar detyrimi për tu identifikuar me dokument dhe dorëzimi personalisht”, tha përfaqësuesi i PD-së Franc Nuri.
Kjo u pranua edhe nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i cili tha se këto probleme kanë ndodhur. Celibashi tha se po bisedohet me kompaninë postare, por saktësoi se nuk është e qartë se sa të shpeshta janë këto raste.
“Shqetësimet tuaja do t’i adresojmë me kompaninë, por duhet të kuptojmë nëse janë raste sporadike, apo fenomen. Janë dorëzuar deri tani 71 mijë zarfe tek zgjedhësit dhe nuk është e qartë sa ka qenë numri i rasteve si këto, jashtë protokollit, që nuk duhet të ndodhin", tha Celibashi.
Një nga vendet më problematike është Greqia, e cila edhe pse është shteti i dytë për nga numri i emigrantëve të regjistruar (67 mijë), votat e ardhura janë në vend të 4-të, vetëm 336.
“Rastet më të shpeshta janë nga Greqia, është mirë që të na sillni të gjitha rastet individuale që të adresohen rast pas rasti tek kompania”, u shpreh Celibashi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dërguar në Diasporë 241 mijë zarfe dhe ka marrë 9 mijë vota deri më tani./ZËRI