
TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi elektoral në Dimal ka sulmuar Partinë Demokratike dhe partitë e reja. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë, komentoi kontratën e Partisë Demokratike me kompaninë për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk la pas dore edhe partitë e reja. Ramës duket se ia kanë tërhequr vëmendjen deklaratat e liderëve të partive të reja për zgjedhje të parakohëshme.
“Ata që përpiqen dhe këmbëngulin të na përqeshin se medemek në këto tre mandate s’kemi bërë asgjë dhe një nga gjërat që thonë është se ku keni 300 mijë vendet e punës. 1 023 000 të punësuar ishin në 2013 ndërsa në 1 327 000 është e regjistrit sot. Kanë një problem të madh me aritmetikën. E filluan me 7x7= 42, tani e çuan në 6 milionë. Besoj se aritmetika që na kanë mësuar në shkollë tregon se janë më shumë se 300 mijë të punësuar të rinj. Njëri bufi i kënetës del thotë se do të shkrijë SPAK dhe e-Albania. Dmth drejtësia do të kthehet aty ku ishte, në kënetën e bufit, që kur vriteshin njerëz poshtë dritares së kryeministrit.... 6 mln dollarë nga këneta për të pastruar tatuazhin në ballë të non gratës dalin, por paratë e tjera për popullin nuk dalin. Të tjerët që medemek janë të rinj, thonë se po qe se na vjen ne në dorë kjo punë, do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë që ne na duhet të mbyllim negociatat në 2027 dhe të futemi në BE,"-tha në fjalën e tij kreu i qeverisë.
Pas komenteve të Ramës, një përgjigje ka ardhur edhe nga kreu i koalicionit "Nisma Shqipëria Bëhet". Adriatik Lapaj në një videomesazh për kreun e qeverisë e thumbon duke i kujtuar datën e zgjedhjeve. Edhe pse Rama nuk e përmendi me emër, sërish Lapaj i ka kthyer përgjigje, duke përsëritur premtimin e tij se nëse nga mandatet e tyre varet krijimi i qeverisë së re, do ta dërgojnë vendin sërish në zgjedhje.
“Të ka zënë frika, i madh të ka zënë frika! E di ti që do shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Do të shkojmë që të mos e dhunosh e detyrosh administratën për votë. Do të shkojmë që të mos kesh të fortë rreth vetes që kërcënojnë qytetarët. Do të shkojmë të mos përdorësh tatimorët për të dhunuar biznesin. Çfarë ke? Pse e ke me kaq shqetësim? Ke 30 vjet në pushtet, duhet të ishe më i qetë! Do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, nëse shqiptarët na besojnë ne aq mandate sa ti të mos e bësh dot qeverinë. Edhe 10 ditë!,"-tha Lapaj ndër të tjera./ZËRI