
TIRANË- Deputeti Vullnet Sinaj, ka folur në mbledhjen e Këshillit për mandatin dhe rregulloren, në lidhje me akuzat e opozitës, se kompania Bigalb group, ka përfituar para nga buxheti i shtetit. Sinaj u shpreh se paratë në fjalë, që pretendohet se janë marrë nga Buxheti i Shtetit nga kompania ku ai është 100% pronar, janë sipas tij kthim i TVSH nga bizneset që kanë falimentuar. Sinaj përmendi akte bamirësie të bëra prej tij dhe nga kompania në fjalë, ndërsa u përball me deputetët e opozitës.
Vullnet Sinaj: Jam këtu sot për të sqaruar të gjithë shqiptarët, sepse ata të zonës sime e dinë se kush janë. Mua nuk më lejohet që të ndërhyj në biznes, personi i besueshëm më ka dhënë disa të dhëna, ajo që ka dalë është një gjë qesharake. 32 mln lekë janë rimbursim TVSH-je, nga biznese të mbyllura, që kanë shkuar në likujditet, këto janë lekët e biznesve, nuk janë lekët e buxhetit. Për çfarë ke ardhur këtu? Të më heqësh mandatin e parë që unë e kam mbyllur, faturat e mandatit të dytë janë vetëm 350 mijë lekë.
Unë nuk kam bërë biznes kur jam bërë deputet, në politikë kam hyrë për të dhënë kontribut, rrogën e kam dhënë për njerëzit në nevojë. U kam krijuar mundësinë njerëzve në nevojë që të jetojnë si të gjithë. Më vjen keq zoti Bardhi, si nuk e gjete që unë kam dhënë 100mln lekë nga llogaria ime personale për situatën e tërmetit. Si nuk e gjete që ky Bigalb grup, pas meje ka dhënë dhe ai 100 mijë euro. Më falni që po flas kështu, më detyruat që të më plasë cipa, që të flas hapur. Si ka mundësi që Vullnet Sinaj ka dhënë 100 mijë euro, a ka një deputet që të ketë dhuruar në këto shifra për shtetin shqiptar, ti merresh me këto gjëra që janë banale. Biznesi im është familjar, unë jam me kuota pasive, është një biznes që ka 2500 punonjës. Ai biznesi im ka siguruar të gjithë punonjësit në një kompani private.
Janë 150 mijë euro që biznesi i paguan për punonjësit e vetë, më detyruat që të flas kështu. Unë nuk e di nëse je i martuar dhe ke fëmijë zoti Bardhi, ai biznesi që është 100% imi, është ai që ka bërë sallën e kardiokirurgjisë në spitalin Nënë Tereza. Si ka mundësi që ti vjen këtu dhe më thua që unë kam bërë namin. Nuk kam marrë pjesë në asnjë tender, në asnjë koncension, për këto dosje voluminoze që ju keni sjellë këtu, unë duhet të konsultohem me juristë.
Bardhi: Kemi verifikuar se deputeti Sinaj është pronar në 9 kompani, ku në 5 prej të cilave është aksioner i drejtpërdrejtë. Ne kemi verifikuar nëpërmjet shkresave zyrtare, në këtë rast Drejtorisë së Thesarit, se deputeti Vullnet Sinaj, nëpërmjet kompanive të tij në vetëm 9 transaksione që ne kemi evidentuar mund të jenë edhe shumë më shumë, ka përfituar nga buxheti i shtetit rreth 36 mijë euro. Në këto kushte ai është në shkelje të Kushtetutës konkretisht të nenit 70, pika 3. Këto fakte, janë konfirmuar zyrtarisht edhe nga Ministria e Finacave dhe Drejtoria e Thesarit.
Në mocionin e dorëzuar nga deputetët opozitarë, thuhet se Sinaj ka shkelur Kushtetutën, pasi ka përfituar fonde publike në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike.
Opozita pretendon se ekzistojnë 30 prova se si si ligjvënësi i maxhorancës ka përfituar para nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanive të tij gjatë kohës së ushtrimit të mandatit të deputetit.
Socialisti nuk i ka tjetërsuar aksionet, por i ka transferuar te persona të tjerë, dhe për këtë arsye demokratët akuzojnë se ai asnjëherë nuk ka humbur të drejtën e pronësisë mbi kompanitë e tij dhe marrjen e fitimeve.
Demokratët shprehen se pronësia mbi këto kompani dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga deklaratat vjetore të deklarimit të pasurisë nga ana e tij.
Firmosësit e mocionit pretendojnë se janë të paktën 9 transaksioneve të verifikuara nga thesari i shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë që kanë shkuar si pagesa për shoqëritë “BIGALB GROUP” sh.p.k., “BIG LISUS” sh.p.k., “BIG DURRËSI” sh.p.k., “BIG PESHKOPIA” sh.p.k., “BIG ROI” sh.p.k., “BIG LEO” sh.p.k., “BIG LEZHA” sh.p.k., “BIG DRINI” sh.p.k., “BASHKIMI” sh.p.k., “TIRANA CASH & CARRY” sh.p.k. /ZËRI