
TIRANË- Partia Demokratike, përmes sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka, iu ka dërguar një udhëzim strukturave në bazë, se si do të bëhet bashkimi, që do ta çojë opozitën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në udhëzimin e Nokës që iu është dërguar drejtuesve të degëve, iu kërkohet atyre që të bëjnë gjithçka për të mbledhur rreth vetes të gjithë zërat opozitarë, edhe ata që nuk janë pjesë e strukturave të PD-së. Po ashtu nënvizohet se, në kuadrin e bashkimit të çdo energjie opozitare, ky udhëzim është për afrimin dhe kooptimin në strukturat e PD të atyre që kanë qenë në struktura paralele, që nënkuptojnë mbështetësit e grupimit të Lulzim Bashës.
UDHËZIMI
a) Institucionet dhe forumet drejtuese të Partisë Demokratike, veçanërisht strukturat e saj në qendër dhe në bazë, kanë përgjegjësinë e madhe të bashkimit në një front të vetëm opozitar, të çdo anëtari apo ish anëtari të Partisë Demokratike, të çdo opozitari dhe kontributori në kauzën opozitare, të çdo fluksi dhe rryme antiregjim, me synim të vetëm fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme;
b) Drejtuesit Politikë dhe strukturat drejtuese të degëve të Partisë Demokratike marrin të gjitha masat organizative për të mundësuar një front sa më të gjerë opozitar. Demokratët duhet të kënë parasysh se në thelb të këtij bashkimi qëndron kontributi i të gjithëve, pas asnjë dallim, si kusht thelbësor për fitoren tonë të ardhshme;
c) Përvec organizimit strukturor në cdo qelizë të saj, strukturat drejtuese të çdo dege identifikojnë çdo faktor publik opozitar, të cilët edhe pse nuk janë pjesë e strukturave ekzistuese të degës, me rolin dhe kontributin e tyre shoqëror dhe politik, janë vlerë e shtuar e Partisë Demokratike. Për këtë arsye, strukturat drejtuese identifikojnë, kontaktojnë dhe bëjnë çdo përpjekje për të afruar pas tyre çdo individ me reputacion publik dhe kontribut shoqëror, që me veprimtarinë e tij/saj ka dhënë prova të angazhimit qytetar opozitar;
d) Veçanërisht në situatën pas kthimit të Flamurit dhe Simboleve të Partisë Demokratike në shtëpinë e përbashkët të demokratëve, nuk ka më asnjë pengesë që demokratët e angazhuar politikisht deri dje në struktura paralele, pavarësisht diferencës së opinioneve apo qendrimeve për çështje të brendshme të familjes sonë demokrate, të inkorporohen në strukturat ekzistuese të degëve tona sipas këtij modeli;
e) Anëtarët e kryesisë te ish strukturës paralele do të kooptohen në degën përkatëse përsëri si anëtarë kryesie, drejtuesit e grupseksioneve dhe seksioneve do të inkorporohen sipas rastit në kryesinë e grupseksioneve dhe seksioneve. Bashkimi i çdo drejtuesi apo anëtari të ish strukturave paralele me strukturat tona duhet të jetë një prioritet absolut i yni. Ky bashkim duhet të shoqërohet me një frymë gjithëpërfshirëse si rruga e vetme për të maksimalizuar energjitë tona në përballje me narkoregjimin. Duhet patjeter që Drejtuesit Politik në bashkëpunim me Kryetarët e degëve dhe me kryesitë e egëve të PD të krijojnë kushtet dhe frymën e këtij bashkimi dhe kooptimi në strukturat tona. Ky model siguron koherencën dhe ofron garanci për kontributin në Parti dhe respektin për çdo demokrat të angazhuar në strukturat tona;
f) Në këtë kontekst duhet të afrohen dhe kooptohen specialistët dhe profesionistët e strukturave paralele në departamentet përkatëse, dhe te kujdesen që për angazhim të plotë anë departamenteve ekzistuese të degëve tona;
g) Njekohësisht FRPD dhe LDG, si dy organizata partnere të PDSH-së, marrin gjithashtu masat për të bashkuar çdo kontribut sipas modelit të mësipërm;
h) Strukturat drejtuese të degëve janë përgjegjëse për të mundësuar bashkimin e kontributeve në betejën opozitare. Nën drejtimin e Drejtuesit Politik, Kryetarët e degëve dhe kryesitë e degëve të marrin të gjitha masat proaktive për realizimin e këtij Udhëzimi, i) Kryetari dhe Sekretari i Degës raportojnë periodikisht pranë Sekretariatit Organizativ në qendër për plotësimin e këtij Udhëzimi.
/ZËRI