
ITALI- Do të firmoset sot në Romë dokumenti i marrëveshjes për njohjen reciproke të Sigurimeve Shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë.
Kryeministri Rama përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se nga kjo marrëveshje me Italinë, do përfitojnë 500 mijë shqiptarë në Itali dhe mijëra shtetas italianë në Shqipëri.
“Mirëmëngjesi dhe me lajmin e mirë që sot firmoset dokumenti përfundimtar i marrëveshjes së shumëpritur për njohjen reciproke të Sigurimeve Shoqërore në Romë, ku mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali dhe mijëra shtetas italian mijë shtetas italianë në Shqipëri janë përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Marrëveshja mes dy vendeve pritet që të firmoset nga ministrat e jashtëm. Ministri IglI Hasani ndodhet prej dy ditësh në Itali, në takimin e Ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe MPJ-ve të Ballkanit Perëndimor.
Në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, si dhe roli e kontributi i sektorit privat në avancimin e kësaj kauze.
Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor, i krijuar në vitin 2023, bashkon Italinë, Austrinë, Republikën Çeke, Kroacinë, Sllovakinë, Greqinë dhe Slloveninë. Grupi u krijua për të rritur vëmendjen e Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit./ZËRI