
TIRANË- Ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në fund të së cilës, Flamur Noka kishte një komunikim me gazetarët, ku dha detaje nga aksioni i mëtejshëm i opozitës.
Noka u shpreh se qëndrimi i opozitës do të radikalizohet, ndërsa nuk dha detaje nëse gjatë ditës së sotme do të nisë një ngujim i deputetëve brenda sallës së Kuvendit.
Flamur Noka: Grupi i PD është i shqetësuar nga deklaratat e bëra nga Arben Ahmetaj, ishte një alarm i madh që në Shqipëri ka dy grupe kriminale, e para është qeveria, dhe e dyta SKAP që vepron me urdhër politik, që mbulon gjurmët e organizatës së parë. SKAPI mbulon dhe fsheh provat që Erion Veliaj është pronari i vërtetë i inceneratorit të Tiranës.
Të dhënat që tha Ahmetaj janë rrëqethëse, nëse SKAPI do të ekzistonte sot qeveria duhet të kishte rënë, duhet të ishin marrë të pandehur Edi Rama, Erion Veliaj dhe biznesmeni Blerim Hoxha. Situata tjetër që u diskutua në mbledhjen e grupit, është qasja armiqësore që Edi Rama ka në Kuvend ndaj deputetëve të opozitës.
Për këtë ne kemi thirrur një protest për demokracinë, për pluralizmin dhe Shqipërinë, sot në protestë do të jenë të gjithë deputetët që janë të përjashtuar. Bashkimi i demokratëve është në proces, unë e kuptoj që ju doni zhvillime të përditshme nga opozita, por mos u bëni merak, opozita është e bashkuar.