Politikë

Përplasja në Ostren/ Mziu: Nuk jam unë personi në video, por është babai i kandidatit socialist

Sipas tij, në videon e publikuar, është babai i kandidatit të PS Dibër.

I.F
Përplasja në Ostren/ Mziu: Nuk jam unë personi në video, por
Xhelal Mziu

TIRANË- Kandidati i Partisë Demokratike për deputet Xhelal Mziu ka reaguar përmes një postimi në “Facebook”, duke deklaruar se nuk është ai që godet një person në video. Sipas tij, në videon e publikuar, është babai i kandidatit të PS Dibër. Kandidati demokrat u shpreh se Policia e Shtetit është përdorur politikisht për ta sulmuar atë, duke deformuar ngjarjen kriminale të dhunimit të përfaqësuesve të Partisë Demokratike.

"Vijojnë sulmet dhe përdorimi politik i Policisë së Shtetit me shpërndarjen dhe manipulimin e opinionit publik, duke deformuar ngjarjen kriminale të dhunimit të përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Në një video që Policia ka shpërndarë në media, duket qartë dhuna barbare që Jeton Dani, babai i kandidatit për deputet të Partisë Socialiste, Murat Dani, ushtron ndaj kreut të PD-së Bulqizë, Shaqir Manjanit, dhe më pas, me zyrtarë të tjerë socialistë, vijojnë ta dhunojnë, ku barbarizmi i tyre nuk ka kursyer as kreun e FRPD-së.

Kjo është një provë e pastër për Policinë e Shtetit dhe për SPAK, e cila, në vend që të përdoret për të vënë në pranga dhunuesit e kreut të PD-së, Shaqir Manjani, shpërndahet për opinionin publik sikur protagonisti jam unë! Sqaroj mediat dhe qytetarët se në atë video as nuk jam, e as nuk është episodi për të cilin fabrikon akuza Policia e Rilindjes, por është dhuna barbare e Jeton Danit, babait të kandidatit, ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, për të cilën Policia e Shtetit refuzoi të pranonte denoncimin!

Apeloj mediat të bëjnë saktësimin e nevojshëm dhe të mos përdoren nga fabrikimet kriminale të Rilindjes! Apeloj SPAK-un që të marrë menjëherë masa për ndalimin e dhunuesve, vendosjen e tyre përpara ligjit, bashkë me autorët e manipulimit të provave për përfitime politike! Edhe njëherë garantoj qytetarët e Bulqizës dhe të gjithë qarkut të Dibrës se këto manipulime të Partisë Socialiste dhe Policisë së Shtetit nuk do të na trembin e as nuk do të na ndalin drejt fitores së sigurt më 11 maj!”, shkruan Mziu.

Policia njoftoi sot se kishte nisur procedimin penal ndaj drejtuesit politik të PD-së në Dibër, Xhelal Mziut dhe nipit të tij, Elvis Mziu për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. Sipas autoriteteve, ata dyshohet se kanë goditur me grushte, 33-vjeçarin Kalosh Murra. Por Mziu ka pretendime të tjera. Ai shprehet se ngjarja nuk është siç Policia e bën me dije, por sipas versionit të tij, përfaqësues të PS kanë intimiduar mbështetësit e PD në takim. Ndaj për zbardhjen e plotë të ngjarjes, kërkon ndihmën e SPAK./ZËRI

Poll

MOS HUMB