
TIRANË- Kur menduam se Partia Demokratike, ajo e Rithemelimit dhe demokratët tashmë ishin në unison, duket se kjo nuk ka ndodhur. Një konflikt i ri duket se "vlon" brenda selisë blu. Përballë janë deputetët e qarkut të Fierit, Luan Baçi dhe Saimir Korreshi. Ky i fundit ishte i pari që sulmoi kolegun duke u shprehur në intervistën e tij të fundit përballë moderatores Ester Bylyku, se Baçi është një nga ata politikanë që nuk i zë besë. Madje u tregua i prerë duke u shprehur se është një nga ana persona me të cilët nuk ka asnjë dëshirë për të pasur miqësi. Por shumë detaje për arsyet që e çuan në marrjen e këtij vendimi nuk ka dhënë.
Saimir Korreshi: Luan Baçi, një politikan që nuk i zë besë, sepse është ditën prift, natën hoxhë. S’ka mundësi që burri të jetë në darkë një gjë, dhe pastaj një gjë tjetër. E them pa teklif, është ai politikan që nuk dua të kem miqësi. Disa herë nuk i kam folur, pastaj ka tentuar disa herë, pastaj nuk i fola prapë.
Nga ana tjetër deputeti Luan Baçi gjatë fjalës së tij në protestën e sotme nuk e la pa një përgjigje. Baçi u shpreh se “ kanë ardhur këtej për të bërë lojë me dy porta”. Por nuk e la me kaq. I ftuar në studion e "Report TV" i bëri një thirrje publike që të mos merreshin me intriga dhe kurthe ndaj kolegëve, por me punë. Edhe pse nuk përmendi emra, përgjigjen dihet se për kë e kishte.
“PD kështu ka qenë gjithmonë nuk është parti e rreshtit. Janë të gjithë të barabartë mes të barabartëve, ndoshta ndonjëherë e kalojnë dhe etikën. Pra është një përzgjedhje që unë nuk çuditem dhe për këto qëndrime që dalin dhe fjalët nga mbledhja. Shpesh herë dalin të deformuara për tu bërë objekt i bisedave dhe studiove televizive. Unë jo pa qëllim kam refuzuar që ti bëj objekt të studiove, mos të zë kolegët e mi me gojë. Por fenomenin e kam denoncuar dhe do të vazhdoj ta denoncoj. Ju bëj thirrje kolegëve që për hatër të demokratëve të respektojnë votën e demokratëve të merren me punë dhe jo me goditje nën brez shpife apo intriga, kurthe me kolegët deputetë të forcës së vetë politike. Shpifjet intrigat dhe skuthllëqet nuk duhen përdorur as me kundërshtarin”.
Pas bashkimit për një opozitë më të forcuar, siç duket kanë filluar sërish përçarjet e para. Vetëm se këtë herë, shkaku nuk dihet./ZËRI