
TIRANË- Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat, pas bllokimit të mbledhjes nga deputetët që mbështesin Berishën, ka akuzuar këta të fundit se po bëjnë teatër, bashkë me qeverinë.
Sipas Alibeajt, as deputetët e Berishës dhe as qeveria nuk dëshiron që të ketë një reformë zgjedhore, mbi ato pika që kërkon Partia Demokratike.
“U kërkoj ndjesë përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, që me shumë dëshirë erdhën për të marrë pjesë. Dua ta bëj të qartë që në fillim. Ajo që ndodhi sot, nuk është gjë tjetër veçse teatri i radhës nga një palë që nuk e do reformën zgjedhore. Një palë që e ka shndërruar mbledhjen në matje muskujsh.
Pala e maxhorancës ka treguar se është e prirur të shndërrohet në atë teatër të shëmtuar dhe se nuk e do një reformë të tillë. I vendos një perde dhe mur të madh publikut. Nuk ka asnjë lloj dyshimi për askënd. Arsyeja reale pse dy palët nuk e duan është sepse nuk duan propozimet tona që janë në interes të publikut, listat e hapura, votimi dhe numërimi elektronik, vota e diasporës dhe Shqipëria një zonë elektorale. Të dyja palët që zhvillojnë këtë teatër nuk duan ta pranojnë. Qëndrimi i PD ka qenë i qartë për Zgjedhoren që në ditën e parë”, tha Alibeaj.
Reforma Zgjedhore sërish ka mbetur në udhëkryq. Edhe sot nuk ka pasur një mbledhje të Komisonit për Zgjedhoren. Opozita ka bërë të pamundur zhvillimin e kësaj mbledhjeje, ndërsa pas kaosit, që zgjati për disa minuta, u vendos që Komisioni të mos mblidhet as online, siç ka ndodhur në të kaluarën./ZËRI/