Politikë

“Policia ka manipuluar provat”, Fredi Beleri akuza në GJKKO, rrëzohet kërkesa për përjashtimin e gjyqtarëve

Fredi Beleri qëndron pas hekurave që prej datës 12 Maj, ndërsa dy ditë më pas u zgjodh kryebashkiak i Himarës. Betimi i tij mbetet ende pezull

E.K
“Policia ka manipuluar provat”, Fredi Beleri akuza në GJKKO,
Fredi Beleri

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokatëve mbrojtës së Fredi Belerit, për përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtarëve Erion Çela dhe Irena Gjokës me pretendimin se janë treguar të njëanshëm ndaj tij.

Në seancën e sotme u paraqitën 5 dëshmitarë mes tyre një gazetar lokal që intervistoi Avdyl Ramën, vëllain e bashkëpunëtorit të drejtësisë Arsen Rama, i cili është personi që çoi pas hekurave Belerin.

Dëshmitarët e tjerë ishin banor të Himarës të cilët dhanë sqarime se kishin miqësi me Belerin dhe e takonin edhe për shkak të fushatës zgjedhore e disa si bashkëqytetar të Himarës.

Avokatët paraqitën kërkesën që në listën e dëshmitarëve të thërriten kancelari i gjykatës së Vlorës dhe ai i prokurorisë. Trupa gjykuese është tërhequr për të marrë vendim lidhur me këtë kërkesë. Vetë Fredi Beleri ishte i pranishëm në seancë ku parashtroi disa pretendime, dhe hodhi akuza në drejtim të prokurorisë së Vlorës. Beleri thotë se është futur në burg me një dëshmi penaliteti të falsifikuar.

“Çështja është montuar keq. Prokuroria e Vlorës është vënë në shërbim të policisë dhe janë manipuluar provat. Kam kërkuar informacione për personat që kanë falsifikuar provat. Këto informacione janë të nevojshme për një mbrojtje normale. Më kanë futur në burg me një dëshmi penaliteti te falsifikuar. Vijon manipulimi nga Prokuroria, nuk dihet për çfarë arsyesh. Ndihem i ofenduar dhe i diskriminuar. Kërkojnë me doemos të më dënojnë”.

Ndërkohë, avokati i Belerit, në një deklaratë për mediat, tha se “po prodhohen fakte të paligjshme kundër klientit të tij”. 

I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar më datë 12 maj 2023. Ai akuzohet për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB