
TIRANË- Edhe pse Policia e Shtetit ka nisur hetimet për avokaten Adriana Kalaja, sërish kjo e fundit nuk është ndalur me deklaratat e saj të forta në rrjetet sociale. Sërish, ajo ka shpërndarë në rrjetet sociale foto ku i drejton pistoletën në kokë kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, edhe pse për të njëjtën arsye ndaj saj ka nisur një hetim nga "blutë" e Tiranës.
Në rrjetet e saj sociale, kryetarja e Komisionit të Apelimit në Partinë Demokratike, Adriana Kalaja, ka bërë thirrje për destabilizim të vendit duke shpërndarë sërish fotot e saj të montuara me Ramën dhe Veliajn. Në postimin e saj ajo shpreh zhgënjimin se për situatën politike në vend, dhe jep "zgjidhjen e saj": përballje, destablizim dhe tritol!
“E kam thënë që kur vura kandidaturën në primaret e zhvilluara në PD se: Tirana shpëtohet vetëm me TRITOL. Sot jam më e bindur se kurrë se jo vetëm Tirana por e gjithë Shqipëria. Besoj se edhe një pjesë e mirë e Juaja që, dikur nuk u bashkuat me tezën time. Sa për ata që më sulmuan, nuk i'a vlen, të harxhoj kohën time të vyer. Koha më dha të drejtë. Ashtu si për shumë ide e veprime që kam ndërmarë. Pyetja që unë shtroj është se: A shkohet në "luftë" pa Komandantin apo në fushatë zgjedhore pa Kryetarin e PD-së dhe Liderin e Opozitës? Kurrsesi JO. Madje, historia ka treguar se fitoren në një betejë e ka arritur ai që ka "vrarë" Komandantin e palës kundërshtare, ku ushtarët pas kësaj, kanë braktisur fushën e betejës. Për këtë arsye teoria e "tritolit" sot është zgjidhja e vetme. Vetëm me përballje, destabilizim dhe "tritol": 1. Lirohet Prof. Dr. Sali Berisha; 2. Rrëzohet Mafia në pushtet; 3. Krijohen kushte për Qeverinë Teknike. Vetëm kështu, shkohet drejt fitores. PS: Filloni tani procedim penal për kanosjen e dy Drejtuesve të Grupit të Strukturuar Kriminal Rama – Veliaj,"-, thekson Adriana Kalaja.
POSTIMI I PLOTË:
Por, deri më tani, ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar nëse kryeministri dhe kryebashkiaku i Tiranës kanë dorëzuar ndonjë kallëzim për kërcënimet e njëpasnjëshme të avokates Kalaja./ZËRI