TIRANË- Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka komentuar sërish arrestimin në Francë të biznesmenit Ermal Beqiri, të shpallur në kërkim nga SPAK.
Berisha thotë se pavarësisht akuzave penale ndaj tij, kompania e Beqirit vijon të marrë para nga shteti. Ai pretendon se së fundmi i janë dhënë 8.5 milionë euro dhe se pasuritë e tij nuk janë sekuestruar.
Kryedemokrati e lidh këtë situatë me Edi Ramën, duke pretenduar se Beqiri është “prestanome” i interesave të kryeministrit dhe se vijimi i pagesave ndaj kompanisë së tij tregon se lidhjet mes shtetit dhe biznesit vazhdojnë edhe pas arrestimit të tij.
“Në Shqipëri, krimi dhe shteti, shteti dhe krimi janë një dhe të pandarë. Të pandarë publikisht, të pandarë në para, të pandarë në dokumenta.
Në kërkim që nga dhjetori i vitit të kaluar, i arrestuar së fundmi në Francë sepse fluturoi me një lartësi që nuk lejohej në një objekt sekret, Ermal Beqiri, de fakto përfaqësues kryesor i familjes Rama në AKSHI-n e Lindave, vazhdon të paguhet me miliona euro, pavarësisht se ky kriminel ka përvetësuar qindra milionë euro për llogari të familjes Rama dhe të tijat.
Së fundmi, Edi Rama urdhëroi dhe ministren e Financave t’i disbursojë 8.5 milionë euro për t’i dëshmuar Ermal Beqirit se nuk ka vepër penale, se nuk ka urdhër arresti, se nuk ka urdhër ekstradimi që mund të pengojë, mund të bllokojë rolin e tij si prestanome, si përfaqësues, si ndërmjetës i Edi Ramës në fushën e tij të suksesit, siç kishte shpallur ai AKSHI-n, kopshtin e tij privat.
Dënoj me forcën më të madhe këtë akt, si dhe mosbllokimin e kompanive të tij nga organet e drejtësisë, të cilat në një inerci bashkëpunimi, jo vetëm në këtë rast, por dhe në raste të tjera nuk kryejnë veprimet që urdhëron ligji.
Kompania e Ermal Beqirit, që de fakto është prestanome i interesave të Edi Ramës dhe kompanisë Frangut, vazhdon të paguhet me miliona, miliona euro pavarësisht se prej 7 muajsh ai është në kërkim për disa vepra penale, përfshi grup i strukturuar kriminal.
Ervis Troplinit, hoteli tek Shkëmbi i Kavajës nuk i konfiskohet, nuk i preket, madje vazhdon ta ndërtojë atë me njërën prej kompanive më prestigjoze siç është kompania Accor, në praktikën e Edi Ramës për të mbuluar me çdo kusht me firma paratë e tij të krimit, investimet e tij.
Dënoj me forcën më të madhe këtë veprimtari, e cila dëshmon në mënyrën më flagrante se në këtë vend shteti dhe krimi janë një dhe vetëm një.
Dhe se në krye të këtij aktiviteti të përbashkët qëndron Edi Rama me interesat e tij kriminale dhe organizatën e tij kriminale”, tha Berisha.
Në një tjetër deklaratë, pak ditë më parë, Berisha hodhi pretendime se hetimet për biznesmenin Ermal Beqiri duhet të sqarojnë nëse pasuritë e sekuestruara lidhen vetëm me Ermal Beqirin apo edhe me kryeministrin Edi Rama dhe vëllain e tij, Olsi Rama.
Beqiri u arrestua në Francë pak ditë më parë, teksa drejtonte një avion privat. Sipas të dhënave të bëra publike, ai u ndalua fillimisht nga autoritetet franceze pasi u konstatua duke pilotuar një avion të vogël pranë centralit bërthamor të Penly, në Seine-Maritime. Ne emër të tij janë zbuluar një sërë pasurish, llogari bankare dhe një kështjellë me vlerë 2.6 milionë euro, për të cilat SPAK ka kërkuar sekuestrimin.
Ndërkohë, në Shqipëri janë sekuestruar një sërë pasurish, mes tyre prona në Green Coast në Vlorë, pasuri në zonën e "Hoxha Tasim" dhe Rolling Hills në Tiranë, një apartament në Golem, jahti "Skyfall", disa automjete, llogari bankare, si edhe aksione në shoqëri tregtare./ZËRI