
TIRANË- Konfindustria ka propozuar ndarjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit në dy dikastere të veçanta. Propozimi është bërë sot për kreun e qeverisë, Edi Rama, me pretendimin se kjo ndarje do i shërbente trajtimit të problematikave dhe zgjidhjes sa më të shpejtë të tyre.
Konfindustria propozon që ky ndryshim të bëhet që tani, për t’i paraprirë problematikave për sezonin e ardhshëm. E po ashtu, kërkohet edhe hartimi i një strategjie të re që “të mos rrezikohen standardet mjedisore dhe investimet në sektorin e turizmit”.
"Këmbanë alarmi për të ardhmen e industrisë turistike shqiptare është klasifikimi në vend të fundit për pastërtinë e ujërave të Shqipërisë, e kryer nga agjencitë e BE si dhe problematikat në menaxhimin e parkut të Butrintit, Liqenin e Ohrit, qyteteve të Beratit, Gjirokastrës, etj,”-shkruhet ndër të tjera në propozim.
Propozimi i Konfindustrisë:
“Konfindustria, duke marrë shkak nga problematikat e mprehta të sezonit 2024, kërkon ndërtimin e një strategjie me veprime të shpejta institucionale, ekonomike dhe financiare, për të shpëtuar fuqinë konkurruese të industrisë turistike shqiptare, në sezonin e ardhshëm dhe në vazhdim. Veprimi i parë institucional i domosdoshëm është ndarja e Ministrisë së Mjedisit nga Turizmi. Në rast të kundërt rrezikohen të goditen edhe më shumë standardet mjedisore, që prekin ashpër investimet e mëdha shtetërore dhe private të kryera tashmë në industrinë e turizmit, me pasoja të rënda për qëndrueshmërinë e sistemit ekonomik dhe financiar të vendit.
Konfindustria vlerëson, se është përplasje e qartë institucionale, që nuk ka asnjë shembull në shtetet e BE prania nën një portofol ministror e Turizmit dhe Mjedisit, sikurse është sot në kabinetin Rama 3. Konfindustria merr shkak për të kërkuar krijimin e Ministrisë së Mjedisit të ndarë nga Turizmi nga dhënia e lejeve të ndërtimit të njësive dhe objekteve hoteliere në kushtet e mungesës së impianteve të pastrimit të ujërave të përdorura, kapaciteteve të pamjaftueshme të furnizimit me ujë të pijshëm, që detyrojnë më pas të prekin zona të mbrojtura, punimeve ndërtimore infrastrukture në shkelje mjedisore, etj. Këmbanë alarmi për të ardhmen e industrisë turistike shqiptare është klasifikimi në vend të fundit për pastërtinë e ujërave të Shqipërisë, e kryer nga agjencitë e BE si dhe problematikat në menaxhimin e parkut të Butrintit, Liqenin e Ohrit, qyteteve të Beratit, Gjirokastrës, etj.”.
Aktualisht, në kabinetin "Rama 3", Ministrinë e Mjedisit dhe të Turizmit e udhëheq Mirela Kumbaro./ZËRI