
TIRANË- Partia Socialiste i ka dhënë këtë të enjte "dritën jeshile", projektvendimit që i hap rrugë krijimit të Komisonit të Posaçëm Antikorrupsion, në krye të të cilit do të jetë, socialisti Fatmir Xhafaj. Projektvendimi mori 73 vota pro dhe 7 kundër. Bashkë me Xhafën në këtë Komisonin do të jenë: Klotilda Bushka, Eduard Shalsi, Etilda Gjonaj, Evis Kushi e Toni Gogu. Në mbyllje të votimit, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla i bëri thirrje opozitës që të propozojë emrat e saj në përbërjen e Komisonit.
Komisioni është konceptuar me 11 anëtarë, 6 nga PS dhe 5 nga opozita. Në projektvendim thuhet se Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10-mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit. Komisioni i Posaçëm do të ketë si synim përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave te mirëqeverisjes ne te gjitha nivelet, thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e metejshem te zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit “Screening” të Komisionit Evropian për grup-kapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”. Për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendës dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj../ZËRI