
TIRANË- "Dezinformimi" është tema e radhës për diskutim në Kuvend. Vetëm pak ditë më parë, Partia Socialiste nëpërmjet kreut të grupit parlamentar, Bledi Çuçit kërkoi ngritjen e një Komisioni të Posaçëm, nga i cili të përpilohen disa ndryshime.
Kërkesa është firmosur nga 7 deputetë të PS-së: Bledar Çuçi, Mimi Kodheli, Klotilda Bushka, Damian Gjiknuri, Toni Gogu, Klevis Xhoxhi dhe Petro Koçi. Maxhoranca synon që nëpërmjet këtyre ndryshimeve ligjore të mbyllë disa media, portale, apo llogari në rrjete sociale në rast se kanë për qëllim që të manipulojnë publikun, apo se kanë mbështetje financiare të tërthortë për të ndikuar tek aktorët publikë apo për të minuar veprimtarinë e shoqërisë civile.
Në kërkesën e depozituar në Kuvend, mes të tjerash thuhet se do të kërkohet që të bëhet hetim i pronësisë së portaleve në vendin tonë.
“Në drejtim të rritjes së përgjegjshmërisë së platformave dhe mediave sociale për të klasifikuar përmbajtjet e lajmeve, informacioneve që shpërndahen nga robotët, duke rishikuar algoritmet, si dhe pa cënuar lirinë e shprehjes, për të mbyllur llogaritë e personave apo subjekteve që përfshihen në sjellje të koordinuara jo-autentike në internet ose aktivitete të paligjshme që synojnë minimin sistematik të proceseve demokratike ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes,”- thuhet në kërkesën e siguruar nga "ReportTv".
KËRKESA E PLOTË:
Bazuar në gjetjet e kësaj analize, Komisioni i Posaçëm duhet të identifikojë masat administrative dhe ndërhyrjet e mundshme nëpërmjet ndryshimit apo plotësimit të legjislacionit në fuqi për të adresuar zgjidhjen e problematikave të identifikuara, veçanërisht në drejtim të rritjes së përgjegjëshmërisë së platformave dhe mediave sociale për të klasifikuar përmbajtjet e lajmeve/informacioneve që shpërndahen nga robotët, duke rishikuar algoritmet me qëllim bërjen sa më transparente të faktorëve ku bazohen për të shfaqur, për t'i dhënë përparësi, shpërndarë, apo hequr përmbajten e lajmit/informacionit, si dhe pa cënuar lirinë e shprehjes, për të mbyllur llogaritë e personave/subjekteve që përfshihen në sjellje të koordinuara joautentike në internet ose aktivitete të paligjshme që synojnë minimin sistematik të proceseve demokratike ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes.
Komisioni i Posaçëm duhet të organizojë seanca dëgjimore me përfaqësues të mediave tradicionale, sektorit të biznesit si dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të nxitur një debat të vazhdueshëm mbi rritjen e përgjegjësisë për të luftuar ndërhyrjen e huaj në të gjitha proceset demokratike, duke përfshirë dezinformimin, jo ekskluzivisht vetëm nga autoritetet publike, por edhe në bashkëpunim me bizneset që operojnë në fushën e teknologjisë dhe mediave sociale dhe sektorin privat në përgjithësi, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rolin, detyrën dhe përgjegjësinë që këta subjekte kanë në përballjen e ndërhyrjeve të huaja, duke u kujdesur në të njëjtën kohë për të mos cënuar lirinë e shprehjes. Komisioni i Posaçëm duhet t'i paraqesë Kuvendit një raport vjetor të veprimtarisë me analizat, gjetjet dhe propozimet për masat administrative dhe ndërhyrjet në legjislacion, që duhet të përmbajë edhe masa konkrete për të kundërshtuar fushatat e informacionit dhe komunikimin strategjik të vendeve të treta keqdashëse, përfshirë ato që kryhen nëpërmjet aktorëve dhe organizatave vendase, që dëmtojnë qëllimet e Republikës së Shqipërisë dhe që janë krijuar për të ndikuar negativisht opinionin publik me qëllim për të minuar angazhimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.
Komisioni i Posaçëm, i cili do përbëhet nga 13 anëtarë, pritet të kryejë një analizë të situatës për të luftuar dezinformimin dhe ndërhyrjet nga aktorë të tretë që kërkojnë destabilitet po ndërmerret nga të gjitha vendet e NATO-s. Kryesisht nga Rusia dhe nga Kina. Ndaj, duke qenë se kemi të bëjmë me një çështje sensitive, Komisioni mund të kërkojë zyrtarisht ekspertizë nga BE, NATO, SHBA, por edhe nga institucione të tjera në vendin tonë./ZËRI