
TIRANË- Partia Socialiste do të mbledhë pasditen e sotme Asamblenë Kombëtare, ku në fokus do të jetë riorganizimi i brendshëm dhe energjizimi i partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Mbledhja do të zhvillohet online, në orën 17:00 dhe do të nisë me fjalën e kreut të socialistëve Edi Rama, i cili pritet që të japë porositë për vartësit e tij, pasi viti i ardhshëm pritet të jetë tepër i rëndësishëm, pasi përkon me zgjedhjet parlamentare.
Pas Ramës, radha do të jetë e sekretarit të përgjithshëm Blendi Klosi, i cili do të bëjë një raport të zgjedhjeve të brendshme në parti, por edhe të gjithë gjendjes së strukturave në bazë të partisë socialiste.
Kjo është hera e katërt që Rama mbledh Asamblenë brenda vitit, ndërsa në tre mbledhjet e kaluara, të zhvilluara në muajin shkurt dhe mars, ka kërkuar më shumë angazhim në terren nga anëtarët e asamblesë dhe rritje të aktivitetit të tyre në rrjetet sociale.
Gjithashtu, në këtë mbledhje, do të miratohen edhe projektvendimet, përzgjedhja e kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS-së, si edhe për anëtarë të Komisionit të Garancive Statutore e Etikës së PS-së.
Agjenda e Asamblesë Kombëtare të PS
“Mbështetur në Statutin e PS, neni 37, pika 5, ju njoftoj se më datën 11.06.2024, ora 17:00, zhvillohet online mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste me këtë rend dite:
Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Mbi ecurinë e procesit të zgjedhjeve të përgjithshme në parti, Blendi Klosi.
Miratimi i Projekt Vendimit “Për thirrjen e Kongresit Zgjedhor të Partisë Socialiste”
Miratimi i Projekt Vendimit “Për propozimin dhe përgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS”.
Miratimi i Projekt Vendimit “Për propozimin dhe përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Komisionit të Garancive Statutore e Etikës të PS”.
Miratimi i Projekt Vendimit “Për zgjedhjen e anëtarëve të Përfaqësisë, të Komisionit të Verifikimit të Mandateve dhe të Komisioneve të Votimit e të Numërimit të Votave të Kongresit të PS.
/ZËRI