
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një deklarate pranë ambienteve të Kuvendit, është ndërprerë nga një qytetare e cila u shfaq e revoltuar me politikën në vend. Teksa Berisha fliste për strategjinë e opozitës përballë mazhorancës, qytetarja i drejtoi disa pyetje, lidhur me situatën politike në vend. Fillimisht ajo nuk është lejuar të afrohet nga truprojat e tij, pasi mendoi se bëhet fjalë për ndonjë qytetare që ka një problem personal e kërkon zgjidhje.
Ndërkohë që ka refuzuar t'i japë përgjigje të drejtpërdrejta qytetares, Berisha ironizoi duke i kërkuar asaj të bëhet pjesë e ndonjë partie politike për të sjellë ndryshimin që kërkon.
Debati:
Qytetarja: Zoti Berisha kam një pyetje për ju, diktatura ka filluar sot apo që në 2008?
Berisha: Nëse je gazetare rri këtu dhe bëj pyetje, po nuk je gazetare, shko në zyrë dhe të pres atje dhe të përgjigjem për të gjitha.
Qytetarja: Zoti Berisha, unë nuk e di kush në përfaqëson në parlament. Ne kemi halle. Në televizor ju shikojmë vetëm juve dhe Edi Ramën nga mëngjesi deri në darkë.
Berisha: Hajde dhe ti dil ne televizor, unë nuk kam kundërshtim
Qytetarja: Ju keni kapur televizorin!
Berisha: Ajo ka një hall
Qytetarja: Këtu ka shkelje ligjore qysh nga Presidenca, kryeministri, ministrat.
Berisha: Unë të besoj, por nuk e zgjidhim dot këtu.
Qytetarja: Nuk di kë të takoj.
Berisha: Shkruaj një letër
Qytetarja: I kam shkruar Presidentit dhe nuk kam marrë përgjigje.
Berisha: Unë nuk jam presidenti, unë jam Sali Berisha. Unë jam i gatshëm të shqyrtoj problemin tënd brenda mundësive që kam.