
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka vendosur të ndryshojë strategjinë për fushatën para zgjedhjeve të 11 majit. Lapsi.al shkruan se kreu i qeverisë ka vendosur që fushatën ta fokusojë tek video-selfiet e kandidatëve.
Rama u ka kërkuar që të bëjnë video-selfie dhe t’i hedhin nëpër rrjete sociale, secili nga 7-8 postime të kësaj natyre. Kërkesa e kryeministrit është që në këto video të përfshihen qytetarë të kategorive të ndryshme, për të treguar mbështetjen e të gjitha shtresave.
“Duke qenë se kanë mbetur dhe pak ditë nga dita e zgjedhjeve, fushata në këtë pikë ku jemi, veç axhendës së secilit si dhe asaj të përbashkët, do të fokusohet në komunikimi direkt në rrjetet sociale. Nga e diela (pra sot) deri të premten datë 9 maj, të gjithë kandidatët duhet të mbushin rrjetet e tyre sociale me VIDEO SELFIE me njerëz. Këto duhet të jene video të shkurtra të bërë në mënyrë spontane me këdo gjykoni të përshtatshëm gjatë ditës në terren. Mbani ne vëmendje të jenë kategori të ndryshme për të treguar mbështetjen e të gjitha shtresave. Numri i videove selfie në ditë për secilin prej jush: 7-8. Sa më lart është porosi e Kryeministrit, ju lutem vëmendjen tuaj! Profilet do të monitorohen për të gjithë kandidatët,”- thuhet në mesazhin e shpërndarë nga zyra e Ramës.