Politikë

Rama në SHBA: E paguam shtrenjtë strehimin e muxhahedinëve, por janë në besën tonë

Rama tha Shqipëria dhe Izraeli janë dy kombe të vegjël si madhësi, por me shpirt të jashtëzakonshëm, ndërsa shprehu bindjen se “kombet tona të vogla do dalin më të forta nga çdo sprovë”.

E.K
Rama në SHBA: E paguam shtrenjtë strehimin e muxhahedinëve, por
edi rama

SHBA- Kryeministri Edi Rama, ka qenë i pranishëm në një aktivitet të organizuar në SHBA, për të nderuar ndihmën që vendi ynë i dha hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjatë fjalës së tij të gjatë në këtë takim, Rama foli dhe për strehimin e muxhahedinëve në Manzë, për të cilët tha se Shqipëria e pagoi shtrenjtë, duke qenë në shënjestër të sulmeve kibernetike. Megjithatë sipas Ramës, ata janë në besën e shqiptarëve, dhe do të qëndrojnë të sigurt në vendin tonë.

Rama tha se vende të tjera europiane me më shumë mundësi, qoftë ekonomike, qoftë në infrastrukturë, nuk dhanë asnjë ndihmë për opozitën iraniane, që tashmë prej disa vitesh strehohet në Shqipëri.

"Të parët tanë na mësuan vlerën e të qëndruarit krah hebrenjve duke vënë jetët e tyre në rrezik për t’i mbrojtur nga kasapët e Luftës së Dytë Botërore dhe, po ashtu, i mësuan botës se ishte veç nder të ishe mysliman e të strehoje në shtëpi hebrenjtë, të ishe i krishterë e të bëje të njëjtën gjë, të ishte thjesht njeri kur të tjerë njerëz në rrezik kishin nevojë për ndihmën tënde. Me cfarëdo çmimi. Me të njëjtën frymë iu dhamë strehë mijëra refugjatëve iranianë, jeta e të cilëve rrezikohej çdo ditë në Kampin “Liria” në Irak, ku plaçkiteshin e vriteshin nga vrasësit e Teheranit.

Vende më të mëdha e më të forta europiane nuk deshën t’i ndihmonim dhe ne e paguam shtrenjtë mikpritjen për ta, pasi regjimi totalitar i Teheranit u angazhua për të kryer një sulm kibernetik masiv kundër Shqipërisë, që synonte të zhdukte gjithë infrastrukturën tonë digjitale të shërbimeve publike.

Po ne nuk hoqëm dorë dhe nuk do të heqim dorë nga zotimi për t’i strehuar ata njerëz në vendin tonë për aq kohë sa është e nevojshme, sepse mikpritja jonë nuk ishte dhe as është e lidhur me ndonjë qëndrim politik kundër Iranit, por vetëm me bindjen humanitare gdhendur në shpirtin tonë si komb.

U detyruam t’i përgjigjeshim sulmit brutal të regjimit iranian duke ndërprerë marrëdhëniet tona diplomatike dhe duke përjashtuar personelin e tij diplomatik nga vendi ynë, por e përsëris se iranianët në Shqipëri janë në besën tonë, ashtu siç qenë hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Teheranit do i duhet të ndajë mendjen se nuk ka shanse që t’i dorëzojmë ndonjë prej tyre regjimit. Nga ana tjetër, po aq inkurajojmë miqtë e strehuar të mos angazhohen në asnjë aksion politik që përdor si platformë Shqipërinë", tha Rama. 

Kryeministri vlerësoi gjithashtu se Shqipëria dhe Izraeli janë dy kombe të vegjël si madhësi, por me shpirt të jashtëzakonshëm, ndërsa shprehu bindjen se “kombet tona të vogla do dalin më të forta nga çdo sprovë”.

“U gëzova shumë kur mora vesh se popullata hebreje në Izrael arriti në 10 milionë banorë, sepse besoj që çdo hebre i porsalindur është bekim jo vetëm për Izraelin, po për mbarë botën, borxhi i së cilës ndaj hebrenjve nuk mund të fshihet kurrë. Sidoqoftë, duke iu kthyer madhështisë së shpirtit të kombeve tona, më duhet të citoj mikun tim të madh, të ndjerin Shimon Peres, i cili thoshte, “Shpirti nuk mund të digjet në furra”. Po, shpirti triumfon ngaherë. Me lini t’ju rrëfej bindjen time të patundur se shpirtrat tanë mund të përballen me sprova, të vogla a të mëdha, kohë pas kohe, me kundërshtitë e historisë sonë të tashme dhe të ardhme, por, në fund të gjithçkaje, ata do të triumfojnë ngaherë dhe kombet tona të vogla do dalin më të forta nga çdo sprovë”, shtoi ai.

Kryeministri u ndal te historia e thellë që lidh dy popujt tanë, ku kapitulli më i njohur është Holokausti. Ai kujtoi se “Shqipëria u bë i vetmi vend europian që nuk dorëzoi as edhe një hebre të vetëm dhe e vetmja ku popullata hebreje pas luftës ishte rritur 20-fish”.

“Ndërkohë që iknin nga vendet e tjera për t’i shpëtuar vdekjes, hebrenjtë fluturonin drejt Shqipërisë për të mbrojtur jetët e tyre nën premtimin tonë te çeliktë të Besës –fjalës së shenjtë të nderit që i jepet tjetrit ose një familjeje tjetër dhe që mbrohet deri me jetë nga ai besëdhënësi. Trashëgimia jonë e përbashkët shtrihet përgjatë shekujve dhe përmes këtyre shekujve, sipërfaqja e e vogël e tokës sonë kurrë nuk e ka kufizuar as madhështinë e ëndrrave tona, as gjatësinë krahëve tanë të hapur për hebrenjtë”, shtoi ai.

“Ndërsa shkruaja këtë fjalë, që e ndjeja po aq një privilegj i veçantë, sa edhe barrë të madhe përgjegjësie, u përpoqa t’i rri besnik traditës hebreje: të nisja me nota disi më të trishta, për ta përmbyllur më pas me nota të gëzueshme shprese e besimi. Por, përpara se të trajtoj çështjet komplekse që më janë “ngarkuar”, më lini të ndalem një moment për të çmuar këtë “Sukkah” që keni ngritur rreth meje sot. Kam një ndjesi jashtëzakonisht të veçantë për marrjen e këtij nderi dhe nuk jam aspak i sigurt se mund ta marr për vete, por jam 100% i sigurt se mundem ta marr si nderim për popullin shqiptar dhe Shqipërinë, që është treguar e mirë me hebrenjtë qysh në fillim të kohërave. Talmudi thotë: “Çfarë vjen prej zemre shkon drejt e në zemër”. Kjo është ngrohtësia dhe afërsia që ndjej sot thellësisht me këtë përfaqësim të vogël e të mrekullueshëm të komunitetit të madh hebre. Todah rabah të gjithëve ju”, shtoi Rama.

Rama theksoi se “pa popullin shqiptar, trashëgiminë tonë të artë dhe religjionin e mikpritjes shqiptare, asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur”.

“Megjithatë, unë s’jam një udhëheqës tradicional ose, së paku, shpresoj të mos jam bërë i tillë, ndaj më duhet të shtoj me sinqeritet të plotë se, po, jam vërtet i lumtur edhe në nivel personal që marr këtë çmim. Si ithtar i vërtetë i idesë se të jesh udhëheqës nuk duhet të të pengojë të thuash atë që mendon, besoj se Elie Wiesel kishte të drejtë kur thoshte se nuk ka rastësi në historinë e popullit hebre. Prania ime këtu dhe marrëdhënia kohëgjatë midis vendeve tona sigurisht që nuk janë rastësi”, shtoi ai.

Rama nënvizoi fuqinë e një kombi kur kujdeset për miqësitë e tij.

“Prej këtej e në vazhdim, më lejoni të flas për ne, me shpresën që, siç thotë edhe Rabini i Lartë, Jonathan Sacks: “Kur kalojmë nga politika e “Unit” te politika e “Ne”, rizbulojmë ato të vërteta kundërintuitive që ndryshojnë jetën”. Të vërtetat që një komb është i fortë kur kujdeset për të dobëtit, se ai pasurohet kur kujdeset për të varfrit dhe se bëhet i pacenueshëm kur kujdeset për të cenuarit janë absolutisht thelbësore, por do të doja të zbuloja këtu edhe fuqinë e një kombi kur kujdeset për miqësitë e tij. Përveç çmimit, ajo që më jep krenari sot është ngrohtësia e miqësisë që ndjej këtu mes jush — që, pa asnjë dyshim, është reciproke”, shtoi ai.

Ky, sipas Ramës, ishte edhe rasti javën e kaluar, kur Presidenti Isaac Herzog u bë i pari president izraelit në histori që vizitoi Shqipërinë dhe provoi shijen e mikpritjes sonë.

“Shumë vonë për një ngjarje të tillë historike, por pikërisht në kohën e duhur po të mendojmë kontekstin historik të betejës me të cilën përballet sot kombi dhe shteti hebre, i cili lufton jo vetëm për të drejtën e tij të vetëmbrojtjes nga një formë e re e mbrapshtë nazizmi, por edhe për botën ku jetojmë, që të mos bjerë pre e përgjigjeve të lehta përballë një kërcënimi ekzistencial të hapësirës së lirë dhe demokratike që kemi ndërtuar të gjithë së bashku, pas makthit të Luftës së Dytë Botërore”, tha Rama./ZËRI 

Poll

MOS HUMB