Politikë

Rama: 'Lufta' fizike në Kuvend bëhet për problemet me drejtësinë të Sali Berishës

Kryeministri Edi Rama deklaroi se askush nuk imponon dot parlamentin dhe maxhorancën se çfarë duhet të bëjë.

D.XH
Rama: 'Lufta' fizike në Kuvend bëhet për problemet me
Edi Rama

TIRANË – Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediat, u pyet për veprimet e maxhorancës nëse presidenti do ta kthente mbrapsht projekt-ligjin për Komisionet Hetimore. Ai tha se një mundësi e tillë nuk ekziston, pasi ligji është bazuar tek modeli gjerman. Ai tha se për projektligjin nuk do të ketë negociata me opozitën e vendit.

“Ne nuk negociojmë dot modelin gjerman me një grup shqiptarësh që kanë humbur modelin si shqiptarë dhe janë në kërkim të modelit të tyre”- tha Rama.

Më tej, kreu i qeverisë foli edhe për kaosin në parlament. Rama u shpreh se gjithë kaosi bëhet për shkak të problemeve me drejtësinë që ka kreu i PD, Sali Berisha. Ai shtoi se Berisha nuk do të arrijë asgjë me forcë e imponim.

“Lufta fizike bëhet për problemet me drejtësinë të një individi. Kultura demokratike nuk do të mundet. Parlamenti është një vend, ku bëhet debat dhe nuk ka konflikte fizike. Grekët e lashtë e krijuan parlamentin, që të jetë një vend, ku diskutohet për t’u bërë gjërat më mirë dhe jo për të pasur dhunë. Ne nuk do bëjmë asgjë që i jep goditje kulturës demokratike. Politika nuk ka lidhje me dhunën dhe boksin. Reformën Zgjedhore do ta bëjmë edhe pa Komision Bipartizan. Në këtë formë, rrugën nuk e hap dot. Mos u fut në zgjedhje, derisa të të mërzitet politika dhe të bësh punë tjetër. Merr karrige e ngriji përjetë, ngriji, por nuk detyron dot askënd të bëjë çfarë do ti”, deklaroi Rama.

Që prej tetorit të vitit të shkuar sallat plenare të Kuvendit të Shqipërisë janë kthyer në arenë përplasjesh dhe jo mendimesh, mes opozitës dhe maxhoramcës, ku nuk ka munguar as dhuna fizike. Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit dhe punimet e tij, jo vetëm në seanca plenare. Por dhe në aktivitetin e përditshëm parlamentar si Komisionet Parlamentare. Sa i përket deklaratave ndaj kryedemokratit Sali Berisha, ky i fundit ndodhet në “Arrest shtëpie”, me vendim të Gjykatës së Posaçme për akuzën e “Korrupsionit pasiv”, në lidhje me hetimet që po kryen nga SPAK për dosjen “Partizani”./ZËRI

Poll

MOS HUMB