Politikë

Rama takim me sipërmarrësit: Nuk ka më kafe e telefona. Fasonët të përshtaten, qeveria s'jep serume

Po ashtu në fund kishte dhe një thirrje për sipërmarrësit, të cilëve u kërkoi ta vinin në “provë” Qeverinë.

E.K
Rama takim me sipërmarrësit: Nuk ka më kafe e telefona.
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të shtunë një takim me sipërmarrës, në kuadër të krijimit të “Shtëpisë së biznesit” e cila do të shërbejë si një strukturë shërbimi i dialogu mes Qeverisë dhe biznesit. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se kjo strukturë e re, që dhe zyrat do ti ketë tek Piramida e Tiranës, pranë Kryeministrisë, do të shërbejë për një bashkëpunim me të ngushtë mes biznesit dhe Qeverisë. Po ashtu në fund kishte dhe një thirrje për sipërmarrësit, të cilëve u kërkoi ta vinin në “provë” Qeverinë.

Edi Rama: Të krijuarit e një ure të tillë dhe të hapurit një dere të tillë, që është një derë e drejtpërdrejtë në tryezën e qeverisë, është rruga më e mirë, më e thjeshtë dhe më e shpejtë për të adresuar problemin, e përsëris, çdo problem dhe e nënvijëzoj, çdo problem që është nga ato situatat e papëlqyeshme të përballjes me një interpretim të gabuar të administratës apo të përballjes me një person apo me një grup personash që shfrytëzojnë të qenit në funksionin publik për të penguar punën me qëllim që të marrin mbrapsht ryshfetin e tyre. Pra, besoj që mund ta them me plot gojën që ne jemi një staf këtu dhe unë do t’iu lutesha ju dhe gjithë atyre që na dëgjojnë dhe që janë sipërmarrës që të na vënë në provë, të na vënë në provë, pastaj nëse prova dështon, atëherë rrugët e vjetra, dyert anësore, korridoret telefonike me të njohur e me miq, ju i dini përmendësh se ka 30 e ca vite që i keni rrahur ato rrugë për arsye të kuptueshme, ama, duhet të na vini në prove dhe unë jam i bindur që kjo do jetë me një përfitim të madh të përbashkët.

Ndërkohë se i përket krizës së fasonerive, Rama e quajti vdekje klinike. Rama është shprehur se situata e rëndë që po kalojnë kompanitë fasone në Shqipëri, nuk vjen si pasojë e forcimit të lekut kundrejt euros, por si pasojë e shfrytëzimit nga këto kompani të krahut të lirë të punës. Kryeministri theksoi se kompanitë fasone duhet të adaptohen dhe të ndryshojnë lojën dhe shtoi se subvencionimi nga ana e qeverisë nuk është zgjidhje për këto kompani, pasi sipas tij, thjesht do të zgjaste agoninë e tyre.

Edi Rama: Situata e industrisë fasone në Shqipëri. Kjo ditë do vinte dhe nuk lidhet thjesht me euron. Është gabim. Është qasje komplet e gabuar ta shohësh këtë si një ditë që e solli forcimi i lekut dhe situata e re që kjo ka krijuar me euron. Jo! Kjo ditë do të vinte sepse koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur prej kohësh. E kush e ka kuptuar prej kohësh që ajo kohë ka vdekur, në atë industri ka marrë masat për t’u adaptuar. T’i kërkosh qeverisë të të japë serume është gabim, sepse nuk ka serum që të shpëton. Qeveria nuk mund të përdorë taksat që të zgjasë agoninë e një organizmi që nuk e kthen dot më në jetë, është një vdekje klinike e sigurt. Zgjidhja është të adaptohesh, të ndryshosh lojën.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB